Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të Ilir Abdullahut, avokatit Ramë Dreshaj, duke e lënë kështu në paraburgim Abdullahun, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të pandehurit I.A., paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN1.S.nr.205/23, të datës 03.11.2023” thuhet në vendimin e Supremes.
Supremja ka sqaruar se nga shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar se Abdullahu është përfshirë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe se gjatë fazës së mëtutjeshme penale do të mund të shikohet se a qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Supremja po ashtu ka gjetur se ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase me lënien e Abdullahut në liri rrezikohet ikja, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që edhe nga shkresat e lëndës del se Abdullahu ka qenë në arrati nga vitit 2007.
“…ngase me lëshimin e të pandehurit në liri ekziston rreziku i fshehjes apo arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, duke pasur parasysh faktin se vepra penale për të cilën dyshohet është e natyrës mjaft të rëndë, si dhe i njëjti, sipas të dhënave që gjenden në shkresat e lëndës, del se prej vitit 2007 e deri kur është arrestuar ka qenë në arrati për një periudhë të gjatë kohore prej 15 viteve, edhe pse janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale me qëllim të sigurohet prania e të njëjtit në procedurë. Prandaj ekziston rreziku që i njëjti të ikë apo arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, e në këtë mënyrë do të pamundësojnë zhvillimin e rregullt të procedurës penale”, thuhet më tej në vendimin e Supremes.
Ndryshe, më 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte zëvendësuar Abdullahut masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro. Gjykata e Apelit më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”.
Abdullahu deri në momentin e arrestimit të tij më 16 korrik 2023 ishte në arrati mbi 10 vite dhe ishte në kërkim edhe të INTERPOL-it.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vijon procesi gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Rizës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.