Site icon Telegrafi

Superliga vjen sot me katër ndeshje – Kampioni e nis sezonin e ri në shtëpi ndaj KEK-ut, ndeshje interesante edhe në Prizren, Prishtinë e Podujevë  

Ipko Superliga e Kosovës ka në orar katër ndeshje për ditën e diel, ku të gjitha janë paraparë të zhvillohen nga ora 16:45.

Tetë skuadra kosovare dhe tifozët e tyre do t’i përjetojnë sot (e diel) ethet e sezonit të ri 2018/19 në Superligën e Kosovës.

Kampioni aktual i Kosovës, Drita e nis këtë sezon me synimin e vetëm, ta mbrojë titullin e fituar në sezonin e fundit.

Lexo po ashtu Drita dënohet me 10 mijë euro dhe dy ndeshje si vendas pa tifozë

‘Intelektualët’ do ta fillojnë këtë sezon në shtëpi ndaj skuadrës së inkuadruar këtë vit në Superligë, KEK-un nga Obiliqi, por nuk do ta kenë përkrahjen e tifozëve pasi janë dënuar me dy ndeshje shkaku i incidenteve në Superkupë ndaj Prishtinës.

Drita synon ta mbrojë titullin këtë sezon

Ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo në mes të dy rivalëve të vjetër, Lirisë së Prizrenit dhe Ballkanit nga Suhareka, e cila do të zhvillohet në Përparim Thaqi.

Takim tjetër që do të ngjall interesim të madh do të jetë edhe ai në mes të Llapit dhe Drenicës, takim ky që do të luhet në Zahir Pajaziti.

Lexo po ashtu Vitin e kaluar e ndihmoi Ballkanin të rikthehet në Superligë, tani do ta ketë kundërshtar: Valon Bytyqi thotë se do të jetë një ndeshje e veçantë

Skuadra e shpëtuar nga rënia prej kategorisë me anë të barazhit, Flamurtari nga Prishtina do të jetë nikoqir skuadrës së inkuadruar këtë vit në Superligës, Ferizaj.

Të gjitha këto ndeshje janë paraparë të zhvillohen nga ora 16:45 dhe i takojnë javës së parë të Ipko Superligës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version