Site icon Telegrafi

Superliga fillon me dy derbi, luhet në Drenas dhe Podujevë

Java e 15-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll hap siparin me dy ndeshjet e ditës së shtunë. Në fakt këto dy përballje priten të jenë edhe dy takimet më të nxehta të javës.

Në Drenas takohen Feronikeli dhe Drita. Kampioni në fuqi i bën ‘konak’ ish-kampionit në “Rexhep Rexhpi”, derisa çdo hap fals i ndonjërës prej këtyre dy skuadrave mund ti lë ato pa titull.

“Nikli” është konsoliduar pas ardhjes së kryetrajnerit të ri Agim Sopi, i cili për këtë përballje nuk do të mund të llogarisë në futbollistët Arbër Prekazi, Met Millaku e Mevlan Zeka të cilët janë të lënduar.

Ndërkohë situata në kampin bardhekaltër duket më e mirë, pasi që kryetrajneri i kësaj skuadre Ardian Nuhiu mund të llogarisë në të gjithë futbollistët.

Në ndeshjen tjetër derbi të javës takohen Llapi dhe Prishtina në “Zahir Pajaziti” të Podujevës.

Rivalët rajonal janë në kërkim të titullit edhe këtë edicion, megjithëse për të dy këto skuadra ‘misioni’ duket mjaft i vështirë.

Si Llapi ashtu edhe Prishtina ndodhen prapa liderit Gjilani plot gjashtë pikë, ndaj çdo gabim nga kjo ndeshje mund tu kushtojë atyre me humbjen e hapit për titullin kampion.

Mentor Zhdrella pritet të jetë mungesa e vetme e Llapit për këtë takim, ndërkohë te Prishtina në pikëpyetje mbetet ende Leonit Abazi.

Dy takimet fillojnë nga ora 13:00. /Telegrafi/

Exit mobile version