Site icon Telegrafi

Superliga e Norvegjisë flet shqip, tetë futbollistë nga Kosova vendimtarë në klubet e tyre me gola e asistime – flasin protagonistët

Kampionati norvegjez është njëri nga kampionatet që ka prodhuar shumë futbollistë të talentuar për t’i furnizuar klubet e mëdha evropiane.

Por gjatë viteve në këtë kampionat kanë luajtur shumë futbollistë shqiptarë, ku padyshim që shumë prej tyre kanë lënë gjurmë të pashlyera në futbollin e këtij shteti.

E duket se ky është viti adekuat që futbollistët shqiptarë të bëjnë edhe më mirë se në të kaluarën, pasi shkëlqimi i tyre në elitën e futbollit norvegjez nuk po mungon.

Veton Berisha, Ylldren Ibrahimaj dhe Zymer Bytyqi

Janë plot tetë futbollistë shqiptarë që luajnë në elitën e futbollit norvegjez këtë edicion në pesë klube të ndryshme.

Valerenga, Brann, Odd BK, Kristiansund dhe Viking janë skuadrat që këtë edicion kanë në radhët e veta futbollistë shqiptarë.

Reprezentuesi i Kosovës, Herolind Shala si dhe sulmuesi Fitim Azemi janë pjesë e klubit kryeqytetas Valerenga, ndërsa Flamur Kastrati e Liridon Kalludra tek Kristiansund.

Herolind Shala (Valerenga)

Skuadra e rikthyer në elitë, Viking ka në radhët e veta supertalentin Zymer Bytyqi si dhe Ylldren Ibrahimaj, ndërsa ODD ka reprezentuesin e Kosovës, Elbasan Rashanin e Brann vëllanë e vogël të Valon Berishës, Vetonin.

Në nëntë javët e para të kampionatit dhe në ndeshjen e parë të Kupës, të gjithë futbollistët shqiptarë kanë realizuar gola për skuadrat e tyre.

Fitim Azemi (Valerenga)

I vetmi futbollistë që nuk ka realizuar në kampionat është Fitim Azemi, por sulmuesi i Valerengas ka tundur dy herë rrjetën në kuadër të Kupës së Norvegjisë.

Vetëm në javën e fundit, në tetë ndeshje të kampionatit, tetë futbollistët shqiptarë zbritën në fushë nga minuta e parë dhe pesë prej tyre realizuan gola, një shifër e jashtëzakonshme.

Elbasan Rashani (ODD)

Nëse ju bije të shikoni një ndeshje të kampionatit norvegjez dhe dëgjoni zëra shqip në tribuna, mos u çuditni aspak, pasi numri i shqiptarëve në shkallët e stadiumeve norvegjeze është rritur dukshëm, krejt kjo falë futbollistëve tanë që po shkëlqejnë me skuadrat e tyre.

Shala: Po na ecën mirë, të vazhdojmë të lëmë gjurmë si shqiptarë

Herolind Shala ka arritur që këtë vit të jetë lojtari kryesor i skuadrës së tij Valerenga, ku iu bashkua në verë nga Start.

Mesfushori i Kosovës ka shkëlqyer me fanellën e klubit kryeqytetas, duke shënuar tre gola në kampionat dhe duke dhuruar katër asistime.

Në një prononcim për Telegrafin, Herolindi ka folur për formën e tij.

“Është një fillim shumë i mbarë dhe shpresoj të më ec edhe vazhdimi i kampionatit njësoj. Kemi objektiva të mëdha me klubin këtë vit për Evropë dhe personalisht jam i kënaqur me formën time”, u shpreh Shala për Telegrafin.

27-vjeçari është njëri nga futbollistët shqiptarë më të famshëm në Norvegji dhe është krenar me sukseset bashkatdhetarëve në kampionat.

“Unë në skuadër e kam Fitim Azemin bashkëlojtarë dhe më vije shumë mirë që jemi këtu, flasim shqip gjithmonë. Edhe lojtarët tjerë shqiptarë në Norvegji po i përcjelli dhe më bëhet shumë qejfi. Uroj që të vazhdojmë me këtë ritëm duke lënë gjurmë në futbollin norvegjez”, tha Shala.

Ish-anëtari i Sparta Pragës e Kasimpasës me skuadrën e tij Valerenga synon të fitojë njërin trofe mes kampionatit dhe Kupës së Norvegjisë.

Bytyqi: Jam në formë të mirë, synoj të rikthehem te Përfaqësuesja e Kosovës

Zymer Bytyqi ka arritur të shënoj dy gola këtë edicion me Vikingun që është rikthyer në elitën e futbollit norvegjez.

Përveç dy golave, Bytyqi ka asistuar edhe në dy të tjerë duke qenë ndër lojtarët kryesorë të skuadrës.

Por formë të lartë te Viking ka treguar edhe mesfushori tjetër nga Kosova, Ylldren Ibrahimaj me dy gola e tre asistime.

Zymer Bytyqi

Në një prononcim për Telegrafin, Bytyqi thotë se i ka vënë objektiv vetës që të shënoj mbi gjashtë gola e të kalojë numrin e 10 asistimeve.

“Është një fillim i mbarë i sezonit, ku kam shënuar gola e kam bërë asistime. Deri në fund të kampionatit fillimisht i kam vënë vetës synim që të shënoj mbi gjashtë gola e të bëjë më shumë se 10 asistime, pasi t’i arrijë këto shifra do të kem tjera objektiva. Rëndësi ka që të jem shëndosh dhe mos të kem lëndime”, tha Bytyqi.

22-vjeçari kishte debutuar me Kosovën në vitin 2014 në ndeshjen historike përballë Haitit, por që një kohë të gjatë ai nuk është grumbulluar dhe synon që të rikthehet në Përfaqësuese.

“Dua që të vazhdoj me këtë formë e mos të kem lëndime. Synimi im kryesor është që të marrë përsëri ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës”, u shpreh Bytyqi.

Sulmuesi anësorë po kënaqet derisa po i sheh bashkëkombësit e tij duke shkëlqyer në futbollin norvegjez.

Ylldren Ibrahimaj dhe Zymer Bytyqi

“Më të vërtet po kënaqem kur po shënojnë shqiptarët ose po asistojnë. Më vije shumë mirë, pasi të gjithë i njoh dhe janë djem dhe futbollistë shumë të mirë”, tha Bytyqi.

Ish-anëtari i Red Bull Salzburg e vlerëson lartë kampionatin norvegjez, duke thënë që është ndër 15 kampionatet më të mira në Evropë.

“Është një kampionat shumë i mirë dhe me rivalitet të madh, mund të them se është po aq i mirë sa ai i Austrisë. Mendoj që kampionati norvegjez futet në mesin e 15 kampionateve më të mira në Evropë”, përfundoi Bytyqi.

Rashani: Kampionat i fortë, shpresoj që një shqiptar të fitojë trofe

Elbasan Rashani ka qenë hero i skuadrës së tij ODD në ndeshjen e fundit pasi ka shënuar golin e fitores 1-0 ndaj Ranheim.

Reprezentuesi kosovar këtë edicion ka realizuar dy gola e ka bërë dy asistime me fanellën e Oddit.

26-vjeçari e vlerëson lartë kampionatin norvegjez dhe nivelin e futbollit në këtë shtet.

Elbasan Rashani

“Është një kampionat shumë i fortë, ka skuadra të forta me buxhete shumë të mëdha. Niveli i futbollit në Norvegji është shumë i lartë dhe jo rastësisht skuadrat nga ky kampionat marrin pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve dhe në Ligën e Evropës”, tha Rashani për Telegrafin.

Sulmuesi i ODD, thotë se shpreson që ai ose ndonjëri nga bashkëkombësit e tij të fitojë trofe këtë edicion.

“Me të vërtet është kënaqësi dhe krenari njëkohësisht duke i parë futbollistët shqiptarë duke shënuar gola në çdo javë. Edhe unë jam në formë të mirë dhe edhe shqiptarët tjerë. Shpresoj që të fitojë trofe këtë vit unë me skuadrën time, por edhe ndonjëri shqiptar tjetër”, tha Rashani.

Futbollistë tjerë në klubet tjera

Veton Berisha u rikthye në Norvegji pas aventurës në Gjermani te Greuther Furth dhe në Austri me Rapidin e Vjenës.

Sulmuesi 25-vjeçar ka realizuar dy gola në këtë fillim edicion, ndërsa ka bërë edhe tre asistime.

Skuadra e Berishës, Brann është ndër ekipet favorite për të fituar titullin këtë vit.

Veton Berisha

Me dy futbollistë shqiptarë në elitën e futbollit norvegjez prezantohet edhe skuadra Kristiansund.

Sulmuesi Flamur Kastrati si dhe mesfushori Liridon Kalludra janë pjesë e ekipit bardhekaltër.

Flamur Kastrati

27-vjeçari nga Deçani, Kastrati ka arritur të shënoj dy gola këtë edicion në elitën e futbollit norvegjez.

Në anën tjetër mesfushori nga Mitrovica, Kalludra ka bërë një gol dhe ka dhuruar dy asistime për bashkëlojtarët e tij.

Elita e futbollit norvegjez sapo ka filluar dhe deri më tani janë zhvilluar vetëm nëntë xhiro, ku në këto javët e para janë realizuar 16 gola nga futbollistët shqiptarë.

Liridon Kalludra

Shpresojmë që deri në fund të sezonit shkëlqimi i shqiptarëve në Norvegji mos të ndalet dhe në fund titulli i kampionit dhe kupa e Norvegjisë të shkojnë në duart e ndonjërit nga futbollistët shqiptarë. /Telegrafi/


Klubet dhe shqiptarët ku luajnë

Rosenborg –
Molde –
BrannVeton Berisha
Stabaek –
Stromsgodset –
Sarspsborg –
ValerengaHerolind Shala, Fitim Azemi
ODD BKElbasan Rashani
KristiansundFlamur Kastrati, Liridon Kalludra
Haugesund –
Bodø/Glimt –
Tromso IL –
Lillestrom –
Mjondalen –
VikingZymer Bytyqi, Ylldren Ibrahimaj
Ranheim IL –


 

Exit mobile version