Prishtina dhe Gjilani do të hapin javën e pestë të Vala Superligës së Kosovës, me ndeshjen që zhvillohet sot nga ora 15:00 në stadiumin e Obiliqit ‘Agron Rama’.
Klubi nga kryeqyteti është lider i kampionatit deri më tani, me tri fitore dhe një barazim, apo një pikë më shumë se kundërshtari i sotëm, Gjilani, që ka tri fitore dhe një humbje.
Djelmoshat e trajnerit, Kushtrimi Munishi shihen si favorit, pasi për këtë ndeshje kthehen lojtarë të rëndësishëm si Debatik Curri dhe Endrit Krasniqi nga suspendimi, ndërsa edhe Lorik Boshnjaku mund të ketë minutat e tij pas lëndimit.
Të dy skuadrat janë përballur 25 herë në mes vete, teksa Prishtina ka bilanc të jashtëzakonshëm pozitiv ndaj rivalëve të saj.
Prishtina ka 16 fitore, 9 ndeshje janë mbyllur me barazim, ndërsa ‘Skifterat’ nuk kanë fituar asnjëherë në ndeshjet kampionale. /Telegrafi/