Telegrafi

Super-jahti rus i sekuestruar do të dalë në ankand pasi pronari i tij u sanksionua – anija ka vlerë miliona dollarë

Një super-jaht rus prej 75 milionë dollarësh do të dalë në ankand pasi pronari i tij u sanksionua.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Axioma u sekuestrua në Gjibraltar në muajin mars pasi banka amerikane JP Morgan pretendoi se pronari Dmitrievich Pumpyansky nuk pagoi një hua prej 20 milionë dollarësh.

Anija do të dalë në ankand të martën dhe për shkak se është e listuar vetëm për një ditë, pritet të shkojë për më pak se vlera e parashikuar.

Varka mund të strehojë 12 persona në gjashtë kabina.

Siç bëhet e ditur, super-jahti posedon pishinë, xhakuzi, spa, kinema 3D, pajisje zhytjeje dhe ka hapësirë për 20 anëtarë të ekuipazhit.

Është varka e parë luksoze e kapur që shitet që nga vendosja e kufizimeve ndaj rusëve të fuqishëm pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt.

Ka pasur thirrje nga disa qeveri, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, që të ardhurat nga asetet e sekuestruara që shkojnë për të ndihmuar refugjatët ukrainas.

Megjithatë, paratë nga shitja e Axiomas pritet të shkojnë për JP Morgan, pas ankandit nga Gjykata e Admiralitetit të Gjibraltarit. /Telegrafi/