Arbër Hoxha realizoi një gol të bukur në barazimin 2-2 të Dinamo Zagrebit me Shakhtar Donetsk në ndeshjen e parë përgatitore të skuadrës kroate në Turqi.
Ndeshja u zhvillua të enjten dhe shënoi debutimin e Fabio Cannavaros si trajner i Dinamos.
Dueli u zhvillua në tri pjesë, me dy të parat që zgjatën nga 30 minuta dhe pjesën e fundit që zgjati 45 minuta.
Dinamo fillimisht kaloi në epërsi me një supergol nga distanca të kroatit Luka Stojkovic.
Shakhtar më pas përmbysi rezultatin në 2:1 me golat e Kevin dhe Taras Stepanenko.
Megjithatë, Arbër Hoxha barazoi rezultatin dhjetë minuta para fundit, duke realizuar një gol të bukur me të majtën pas një depërtimi të shkëlqyer individual në zonë. /Telegrafi/