Romelu Lukaku ka treguar për dietën e tij nga sallatat, peshku, dhe pula, që e kanë rikthyer atë në një top formë te Interi.
Sulmuesi 27-vjeçar ka treguar hapur se ai ishte në mbipeshë te Manchester United, derisa në Itali është duke u kujdesur maksimalisht në ushqimin e tij.
Belgu ka humbur disa kilogramë që kur u transferua te Nerazzurët nga Djajtë e Kuq, duke iu përmbajtur një diete strikte.
“Që kur u bashkova me Interin kam ndryshuar dietën time dhe mund të them se nuk jam ndjerë kurrë kaq i fortë”, ka thënë Lukaku.
“Unë nuk e ndryshoj mënyrën time të të ngrënit shumë, për mënyrën se si luajmë duhet të kemi një fizik shumë të fortë, vrapojmë shumë: pasi që kam ndjekur këtë mënyrë jetese ndihem më mirë në fushë, ndihem më reagues dhe më i shpejtë”.
“Unë i dua karbohidratet dhe i dua patatet, patatet e ëmbla dhe orizin e zi, por nuk ha shumë makarona”.
“Gjithmonë kam qenë një lojtar shpërthyes me muskuj, por Italia më çoi në një tjetër nivel. Unë kurrë nuk jam ndjerë kaq i fortë. Unë kam arritur një nivel tjetër, fizikisht dhe mendërisht”.
“Konsumoj shumë karbohidrate pas ndeshjeve. Shumicën e kohës unë ha dy pjata me makarona, kjo varet nga ajo që shefi i kuzhinës ka përgatitur. Ata treten shpejt dhe më ndihmojnë shumë”, ka shtuar më tej belgu.
Lukaku tashmë ka shënuar 18 gola në kampionat këtë sezon për të udhëhequr Interin drejt triumfit në Serie A. /Telegrafi/