Sulmi është reparti ku pritet të ndërhyjë më shumë Jose Mourinho për të përforcuar Manchester Unitedin.
Tregu i transferimeve është një prioritet në shtëpinë e Djajve të Kuq, të cilët janë vendosur në ndjekje të një sulmuesi i cili mund të luajë përkrah Zlatan Ibrahimovic sezonin e ardhshëm.
Emri i parë dhe ai që pëlqehet më shumë nga trajneri portugez i Unitedit është Antoine Griezmann, por francezi i Atleticos së Madridit nuk është alternativa e vetme për sulmin e Red Devils. Së fundmi në skenë kanë dalë edhe dy emra të rinj të cilët nëse transferohen në Old Trafford mund ta bënin akoma edhe më të fortë skuadrën e Mourinhos.
Pas Anthony Martial një tjetër talent mund të lërë Monacon për të kaluar te Djajtë e Kuq. Kylian Mbappe zbulimi i këtij sezoni te skuadra nga Principata, pëlqehet shumë nga drejtuesit e Man Utd.
Mbappe ka realizuar 17 gola në këtë sezon në 31 takime gjithsej me Monacon në të gjithë kompeticionet, një shifër e konsiderueshme kjo për një lojtar që është vetëm 18 vjeç. Nga një supertalent te një supersulmues.
Robert Lewandowski, bomberi polak i Bayern Munich, është emri tjt që ka përfunduar në radarët e Manchester United. Ish sulmuesi Borussias së Dortmundit ka qenë gjithmonë në preferencat e Jose Mourinhos, por Leva sezonin e kaluar vendosi të rinovonte kontratën e tij me bavarezët.
Megjithatë një largim i Lewandowskit nga Bayerni gjatë kësaj vere nuk do të ishte i pamundur sepse edhe vetë sulmuesi mund të kërkojë stimuj të rinj dhe United do të ishte një opsion i mirë për të vazhduar karrierën.