Në tri ndeshjet e zhvilluara të shtunën në BKT Superligën e Kosovës u shënuan tetë gola.
Drita mori fitore të madhe ndaj Llapit si mysafir me rezultat 3-1, ndërsa Gjilani fitoi ndaj Feronikelit me rezultat 1-0.
Derbi i skuadrave të inkuadruara në Superligë i takoi Ulpianës që mposhti si mysafir Malishevën me rezultat 2-1.
Në këto ndeshja ajo që bie në sy është zhbllokimi i disa prej sulmuesve që nuk e kishin gjetur golin deri më tani në elitë, shkruan Telegrafi.
Blerim Krasniqi i Gjilanit shënoi gol të bukur me kokë që doli të jetë i fitores për skuadrën e tij.
Ky ishte goli i parë më fanellën e Gjilanit për sulmuesin shqiptar.
Në ndeshjen Llapi – Drita u zhbllokuan dy sulmues. Fillimisht ishte Astrit Fazliu që gjeti golin nga pika e bardhë, e që ishte i pari për ferizajasin në këtë edicion.
Fazliu është një nga sulmuesit më të rrezikshëm ndër vite në Superligën e Kosovës.
Edhe Alban Shillova ka gjetur golin e parë në kampionat dhe atë nga pika e bardhë kundër Dritës.
Sulmuesi që kaloi nga Prishtina te Llapi ka pasur sezone të mira ndër vite, ndërsa më shumë spikati me fanellën e Flamurtarit.
Nesër zhvillohen dy ndeshje tjera në BKT Superligën e Kosovës, ku spikat takimi Ballkani – Prishtina. /Telegrafi/