Site icon Telegrafi

“Sulmuesi që i ka munguar Chelseat, nuk duket si një lojtar që ka munguar për 11 muaj” – gazeta britanike me fjalë të mëdha për Armando Brojën

Armando Broja është rikthyer në hero të Chelseat në ndeshjen e tij të parë si titullar pas një kohe të gjatë.

Sulmuesi shqiptar e nisi nga minuta e parë ndeshjen ndaj Fulham dhe arriti të shënonte gol në minutën e 19-të.

Broja qëndroi në fushë për 65 minuta, para se të ndiente lodhje dhe kërkoi zëvendësim.

Reprezentuesi i Shqipërisë është bërë temë në Ishull, ku ka shumë lëvdata për paraqitjen e tij.

Prestigjiozja britanike, ‘The Sun‘ ka bërë vlerësimet e saj për të gjithë lojtarët e Chelseat që u aktivizuan dje, teksa 22-vjeçari shqiptar është vlerësuar me notën 8, një nga më të lartat te skuadra e Mauricio Pochettinos.

“Duket si sulmuesi i duhur që i ka munguar Chelseat gjithë këtë kohë. Humbi një rast në fillim të sfidës, por u kthye në hero duke shënuar golin e parë në Ligën Premier pas një viti”.

Lexo po ashtu Broja flet pas zëvendësimit: Isha thjeshtë i lodhur, nuk ka të bëj me lëndim

“Sinqerisht, nuk duket si një futbollist që nuk ka luajtur për 11 muaj. Lëvizjet e tij, qetësia dhe lidhjet në lojë ishin shumë mbresëlënëse”, ka shkruar The Sun për sulmuesin shqiptar.

Paraqitja e Brojës u vlerësua lartë edhe nga trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino.

“Raheem Sterling nuk është stërvitur gjatë tri ditëve të fundit. Ai mori një virus dhe kjo është arsyeja pse ai nuk mund të ishte në formacion, prandaj aktivizuam Brojën nga minuta e parë. Nisëm të mendonim për Brojën një ditë para ndeshjes. Nuk e dinim nëse do të ishte në gjendje të luante 90 minuta, por mendoj se është e rëndësishme që ai të luajë që në fillim”.

“Pas një periudhe të gjatë jashtë, është e rëndësishme për të që shënoi. Kështu që unë jam i lumtur dhe shpresoj se mund të rikuperohet për fundjavën”, tha Pochettino. /Telegrafi/

Exit mobile version