Site icon Telegrafi

Sulmuesi nga Denveri që vrau gjashtë persona kishte njohur viktimat, për cak kishte individë të caktuar

Një burrë i armatosur i cili në disa lokacione të ndryshme nëpër Denver vrau gjashtë persona dhe plagosi dy tjerë, kishte për cak viktimat e tij duke u bazuar në marrëdhëniet personale dhe ato punës, kanë bërë të ditur autoritetet e sigurisë.

Sulmuesi Lyndon James McLeod, 47-vjeç u vra të hënën pasi plagosi një polic në Lakewood, pranë një qendre tregtare në periferi të Denverit.

Polici kishte arritur t’i kundërpërgjigjet duke e vrarë, bëri të ditur zëdhënësi i policisë John Romero, transmeton Telegrafi.

Është bërë e ditur se sulmuesi kishte njohur shumicën e viktimave të tij, por jo edhe personin e fundit që e qëlloi, 28-vjeçaren Sara Stake, punonjësen e një hoteli në Lakewood e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

McLeod dikur kishte pasur një kompani në Denver në adresën ku sipas evidencës së zyrës së sekretarit të Kolorados, tani është sallon tatuazhesh.

Të shtënat e para kishin ndodhur në sallonin e tatuazheve, që gjendet rreth një kilometër larg lokacionit ku e pësoi me jetë.

Sulmuesi fillimisht kishte hapur zjarr në sallonin e tatuazheve duke vrarë dy gra dhe plagosur një burrë – më pas shkoi në shtëpi ku qëlloi një burrë tjetër.

Ishte rikthyer në Lakewood ku kishte vrarë një burrë tjetër – më pas u fut në hotel dhe shtiu me armë mbi gruan që punonte në recepsion. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version