Telegrafi

Sulmoi seksualisht të miturën në Malishevë e cila më pas tentoi vetëvrasjen, paraburgim ndaj të dyshuarit

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të dyshuarit për sulm seksual ndaj një të miture në Malishevë.

Rasti ka ndodhur më 31 maj të këtij viti, ndërsa i dyshuari është arrestuar të hënën e 3 korrikut.

Lexo po ashtu Pasi u sulmua seksualisht, e mitura në Malishevë tenton vetëvrasjen - dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

“Departamenti për të Mitur ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit tridhjetë (30) ditë të mitur për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual.

Sipas propozimit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, rasti kishte ndodhur në Malishevë, ndaj viktimës së mitur nën moshën 16 vjeçare”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këto veprime, i mituri dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual”.

“Gjyqtarja për të mitur Besarta Doli, në seancën dëgjimore të mbajtur dje, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të mitur në fjalë.

I mituri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditëve, i cili do t’i llogaritet  prej kohës së arrestimit më 03 korrik 2023 dhe do të zgjasë deri më 01 gusht 2023”, thuhet tutje në komunikatën për media.

Ndryshe, 16-vjeçarja ka tentuar që të bëjë vetëvrasje, pasi është sulmuar seksualisht nga i dyshuari.

Viktima është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në QKUK.

“Po, mund të ju konfirmoj se një vajzë e mitur ka tentuar që të kryejë vetëvrasje pasi është sulmuar seksualisht nga një person. Rasti ka ndodhur më 31 maj dhe viktima është dërguar në gjendje të rënë shëndetësore në QKUK.

Ndërsa, i dyshuari është arrestuar dje”, ka konfirmuar të martën për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj./Telegrafi/