Një bombë ka shpërthyer sot herët në mëngjes në veri të Mitrovicës, por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit para një salle fitnesi që ndodhet në rrugën ‘Vojvode Putnika’ në veri të Mitrovicës, dhe përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se pronari i kësaj salle të fitnesit është Sead Çeshko, i etnisë boshnjake, njëherësh polic i Kosovës me detyrë në kufirin e Bërnjakut.
Nga shpërthimi janë thyer xhamat e kësaj salle, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet ‘Seat Ibiza’ me targa KM 012 – BÇ që ka qenë i parkuar aty afër.
Deri tani nuk dihet autori dhe motivi i këtij incidenti.
Sipas zëvendëskomandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, hetimi është në fazat fillestare.
“Pas orës 03:00 të mëngjesit është dëgjuar një shpërthim. Nuk ka persona të lënduar, por vetëm janë regjistruar dëme materiale, dritaret e një lokali dhe të një veture që ka qenë në afërsi”, ka treguar Hoti. /Telegrafi/