Telegrafi

Sulmohet Ambasada e Kubës në Washington DC – mediat sjellin detajet dhe reagimet

Një person ka sulmuar Ambasadën e Kubës në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, Washington DC – me dy kokteje molotovi.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodriguez Parrilla, i cili ka theksuar se për fat të mirë, askush nuk është lënduar, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur më tej, sulmi ndodhi natën e së dielës, pak orë pasi lideri kuban Miguel Diaz-Canel, u kthye në ishull, pasi mori pjesë në ngjarjet e Kombeve të Bashkuar në New York, javën e kaluar.

Askush nuk mori përgjegjësinë për sulmin, i cili nuk shkaktoi dëme apo viktima të konsiderueshme, sipas zyrtarëve kubanë, megjithëse Havana shpejt ia hodhi fajin mërgimtarëve kubanë në SHBA.

“Grupet anti-kubane i kthehen terrorizmit kur ndihen të pandëshkueshëm, diçka për të cilën Kuba i ka paralajmëruar vazhdimisht autoritetet amerikane”, tha Rodriguez në X, i njohur më parë si Twitter.

Dalja e liderit kuban javën e kaluar në OKB u prit me demonstrata nga kundërshtarët e qeverisë komuniste në Havanë të themeluar nga Fidel Castro.

Dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha të hënën se SHBA-ja e dënoi ashpër sulmin e raportuar.

“Ne jemi në kontakt me zyrtarët e ambasadës kubane dhe autoritetet e zbatimit të ligjit për të siguruar një hetim të përshtatshëm dhe në kohë, si dhe për të ofruar mbështetjen tonë për përpjekjet e ardhshme mbrojtëse”, ka thënë ai në një deklaratë. /Telegrafi/