Site icon Telegrafi

Sulmohen tifozët izraelitë në një ndeshje futbolli në Amsterdam, Netanyahu nis aeroplanët drejt kryeqytetit holandez për evakuimin e tyre

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dërguar dy aeroplanë në Amsterdam për të shpëtuar qytetarët izraelitë, pas sulmeve që shpërthyen pas një loje futbolli të cilat ai dhe zyrtarët holandezë i përshkruan si “antisemitike”.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se 10 persona ishin plagosur dhe dy ishin zhdukur, duke këshilluar qytetarët e saj të qëndrojnë në dhomat e hotelit.

Bëhet e ditur se tifozët ishin në Amsterdam për të ndjekur ndeshjen e Europa League mes ekipit izraelit Maccabi Tel Aviv dhe ekipit holandez Ajax.

Rebelët antisemitë “kërkuan në mënyrë aktive mbështetësit izraelitë për t’i sulmuar ata”.

Siç raportohet, tifozët u sulmuan në vende të ndryshme në kryeqytetin holandez përpara se të fillonte ndeshja.

Disa sulme të tjera filluan pasi ekipi izraelit humbi ndaj Ajaxit, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Kryeministri holandez Dick Schoof i quajti sulmet “plotësisht të papranueshme” dhe “antisemitike”, duke shtuar se ai ishte në kontakt me homologun e tij izraelit.

Ai tha se situata është nën kontroll dhe se autorët do të gjenden dhe do të ndiqen penalisht.

Ndërkohë, Netanyahu njoftoi se po dërgon aeroplanë në Holandë, të cilët do të përfshinin aeroplanë mjekësorë dhe të shpëtimit.

Udhëheqësi bëri thirrje gjithashtu për rritjen e sigurisë për komunitetin hebre në Holandë dhe marrjen e veprimeve të shpejta kundër autorëve të dhunës.

Zëdhënësi Ndërkombëtar i IDF-së, nënkoloneli Nadav Shoshani e përshkroi vendimin për dërgimin e aeroplanëve në Amsterdam si pjesë e një “detyre historike të mbrojtjes së popullit”.

Krahas aeroplanëve të shpëtimit të dërguar nga qeveria, linja ajrore izraelite El Al njoftoi se do të ofronte dy fluturime shpëtimi falas nga Amsterdami në Izrael.

Ndryshe, videot e postuara në rrjete sociale treguan kaos në rrugët e qytetit, me grupe që sulmonin njëri-tjetrin.

Një video e shpërndarë gjerësisht tregon një person në tokë në mes të një rruge duke u goditur nga shumë njerëz.

Një tjetër video e ripostuar nga Ministria e Jashtme e Izraelit tregon një burrë duke shkelmuar një tjetër në tokë.

“Ne u zgjuam këtë mëngjes me imazhe dhe video tronditëse që që nga 7 tetori shpresonim të mos i shihnim më: një masakër antisemitike”, tha presidenti i Izraelit Isaac Herzog. /Telegrafi/

Exit mobile version