Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë, ku një mësuese u ther me thikë nga nëna e një nxënësi në këtë shkollë.
Menjëherë në vend ngjarje kishin dalë policia të cilët viktimën V.P e kishin dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkaq të dyshuarën B.D 38 vjeç e arrestuan.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës. Përmes një njoftimi për media, ata e kanë quajtur këtë akt si akt jonjerëzor.
“Nuk ka asnjë justifikim që mund të arsyetojë një veprim të tillë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Njoftimi i plotë:
Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës shpreh keqardhjen më të thellë për sulmin fizik që i është bërë mësueses së shkollës “7 Marsi” në Prishtinë.
Njëkohësisht e dënojmë ashpër këtë akt të pashembullt e jonjerëzor. Nuk ka asnjë justifikim që mund të arsyetojë një veprim të tillë.
Në emër të prindërve të Kryeqytetit i urojmë shërim të shpejtë mësueses! /Telegrafi/