Site icon Telegrafi

Sulmi në Ibër Lepenc, Kurti në Kroaci: Po presim përfundimin e hetimeve, por gjithçka tregon se nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci, ndërsa është pritur me nderime të larta shtetërore nga kryeministri, Andrej Plenkoviq.

Kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët me homologun kroat foli për sulmin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.

Ai tha se sulmi i llojit të tillë ishte i ri pasi kishte për shënjestër të afektohej popullsia civile.

“…Furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë elektrike që është jetike për qytetarë dhe bizneset ka qenë në shënjestër”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kryeministri tutje shtoi se lidhur me këtë janë arrestuar disa persona, kanë konfiskuar armatim dhe se janë duke u zhvilluar hetime.

“Duhet të presim se cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne konsiderojmë që gjithçka tregon se këtë nuk kanë bërë qytetarët e zakonshëm dhe se na bën të besojmë se një sulm i tillë vjen i mbështetur dhe i orkestruar nga Serbia…”, tha ai.

Sipas kryeministrit Kurti, nervozizmi në Beograd po përkthehet në agresivitet kundër Kosovës meqenëse nuk e kontrollojnë më Kosovën.

Tutje, ai para gazetarëve në Kroaci tha se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke.

“Kosova është konstruktive dhe e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve si dy shtete të pavarura”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version