Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur dhimbjen e popullit të Kosovës për viktimat e sulmit në Francë, në të cilën humb jetën 84 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Mustafa tha se kjo tragjedi prek jo vetëm popullin francez, por edhe atë të Kosovës.
Me popullin francez pas sulmit është solidarizuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka cilësuar sulmin si të goditje të rëndë për popullin francez.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë institucioneve franceze dhe ngushëllojmë familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm të pashembullt nga egërsia që po terrorizojnë dhe sjellin frikë tek të gjithë qytetarët, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim. Sulmi i mbrëmshëm na bën që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur kundër terrorizmit në nivel global”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Sulmin në Francë si të tmerrshëm e ka cilësuar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, i cili në reagimin e tij ka shkruar se të gjithë duhet të solidarizohen me familjet e viktimave të pafajshme.
“Sinqerisht me vije shumë keq, pse rrugët e Nicës u përgjaken me gjakun e viktimave të pafajshme, kur ata, me shumë arsyeje po festonin festën kombëtare të Republikës së Francës!Në këto momente të dhimbjes njerëzore, me njerëzit e pafajshëm, ngushëllimi e solidarizimi me Francën e popullin francez, janë akti ynë më i mundshmi e më njerëzori!”, ka shkruar Krasniqi.
Veç këtyre, edhe liderë të partive tjera politike dhe nga shoqëria civile kanë dënuar sulmin në Francë.