Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova nuk po negocion me Serbinë, por me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka përmendur planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në Mynih, ku po zhvillohen punimet për Konferencën e Sigurisë, Rama është shprehur se Serbia veproi gabim pasi sulmit në Basnjkë, ku presidenti i saj Aleksandër Vuçiq shpalli ditë zie kombëtare për ata të cilët kryen sulmin.
“Po Serbia vërtet e ka prishur punën, jo atë ditë që ndodhi Banjska, por të nesërmen kur Vuçiqi shpalli ditë zie për ata që e bënë sulmin. Nuk duhet harruar kush janë objektivat dhe ku duhet të qëndrojë Kosova, nuk duhet harruar. Kosova nuk po negocion me Serbinë, pikë. Kosova po negocion me BE-në dhe SHBA-në”.
“Dua të them ka një plan të quajtur franko-gjerman që ka gjëra që duhet t’i bëjnë të dyja palët. Pse duhet që Kosova të shkojë në Bruksel, ndërkohë që të mbajë anën e saj dhe të nënshkruajë ato pika dhe t’ia dërgojnë Lajçak dhe t’i thonë që jemi gati me pjesën tonë dhe t’i lënë ata të merren me palën tjetër…”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se “Serbia me gjithë progresin që ka bërë nuk është një vend etalon”.
“Të thuash pse s’i ka bërë, por t’i bën pjesën tënde. Edhe neve në Shqipëri nuk na pëlqejnë të gjitha gjërat që bëjmë, por duhet t’i bëjmë, janë të nevojshme nëse duhet të jemi në këtë komunitet”, ka theksuar kryeministri shqiptar. /Telegrafi/