Një sulm me raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak nga Irani ka alarmuar edhe Washingtonin.
Pas marrjes së informacioneve të para, se sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, menjëherë ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë.
Përveç tij, atje është parë duke shkuar edhe sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.
Por çfarë bie në sy është një raportim i gazetares së rrjetit televiziv CNN, Kaitlan Collins, e cila përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Esper, derisa po hynte në Shtëpinë e Bardhe, me vete kishte edhe një “çantë të madhe”, përcjell Telegrafi.
“Sekretari i mbrojtjes Esper sapo arriti në Shtëpinë e Bardhë duke mbajtur një çantë të madhe. Mbërriti edhe sekretari Pompeo, i parë teksa lexonte në makinën e tij para se të dilte”, ka shkruar Collins në Twitter.
Defense Secretary Esper just arrived at the White House carrying a large bag. Secretary Pompeo, seen reading in his car before he got out, also arrived.
— Kaitlan Collins (@kaitlancollins) January 8, 2020
Shkuarja e dy zyrtarëve të lartë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë ka ndodhur pas sulmit nga Irani të dy bazave ushtarake amerikane në Irak, gjë që është konfirmuar edhe nga Pentagoni.
Kujtojmë se rritja e shqetësimit për përshkallëzim të situatës në rajon ka ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump autorizoi një sulm ndaj Qassem Soleimani.
Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadit.
Si përgjigje, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.
Sipas mediave, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.
Veç kësaj, Irani ka bërë të ditur se nuk do të respektojë me asnjë kufizim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi të dielën televizioni shtetëror i vendit.
Gjithashtu, vrasja e gjeneralit iranian ka ndikuar që një vendim të merret edhe nga Parlamenti i Irakut, i cili ka nxjerrë një rezolutë me të cilën kërkohet largimi i trupave amerikane nga vendi. /Telegrafi/