Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se shërbimet qeveritare online do të rikthehen shumë shpejt dhe se kundërofensiva e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë, po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama nënvizon se agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje.
“Nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt!”, shkruan kreu i qeverisë.
Lajmi për sulmin kibernetik u bë i ditur një ditë më parë nga AKSHI.
Për këtë shkak, shërbimet online dhe sistemet qeveritare janë të mbyllura deri në neutralizimin e këtyre akteve kriminale.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Informacionit, sulmi i sofistikuar drejt sistemit të informacionit, vjen nga jashtë Shqipërisë. /Telegrafi/