Telegrafi

Sulmet kibernetike, Quni: Kosova ka ngecje në këtë fushë, prandaj jemi cak i lehtë i tyre

Ditë më parë është raportuar se disa web faqe të institucioneve të vendit, mediave dhe bizneseve ishin cak i sulmeve kibernetike, kurse një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila të mërkurën miratoi Projektligjin për Sigurinë Kibernetike.

I pari i Qeverisë, Albin Kurti, para kabinetit qeveritar, tha se përmes Projektligjit për Siguri Kibernetike themelohet Agjencia për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

Në lidhje me këtë ka folur edhe Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Quni në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se sulmet kibernetike janë shqetësim i të gjitha kombeve e shteteve.

Sipas tij, lufta kibernetike çdo ditë e më shumë po avancon dhe po shfaqet si një dimension i ri që mund të ndikojë dhe në interesat e sigurisë nacionale.

“Është shqetësim i të gjitha kombeve e shteteve që po njihen me një dimension të ri, përveç konflikteve dhe luftërave konvencionale të njohura deri më tani. Lufta kibernetike çdo ditë e më shumë po avanson dhe po shfaqet si një dimension i ri që mund të ndikojë dhe në interesat e sigurisë nacionale. Lufta kibernetike çdo ditë e më shumë po avanson e po shfaqet si një dimension i ri, i cili mund të rrezikojë dhe interesat e sigurisë nacionale”, ka thënë ai.

Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Tutje ai tha se Kosova ka ngecje në trajtimin e luftës kibernetike, prandaj është cak i lehtë i këtyre sulmeve.

“Shumica e shteteve të cilët kanë ekspertizë, që kanë përvojë, kanë fonde, e trajtojnë më shumë prioritet këtë çështje, por ja që në Kosovë ne kemi ngecje në këtë. Pandaj jemi cak i lehtë i sulmeve kibernetike. Munden me i ataku institucionet, organizatat e ndryshme deri në përmasat e paralizës, derisa t’i bëjnë jo funksionale”, theksoi Quni.

Deputeti Quni, shpreson që qeveria do t’i trajtojë me prioritet sulmet kibernetike duke pasur parasysh koeficientet e rrezikshmërisë.

“Shpresoj që qeveria do ta trajtojë me prioritet duke pas parasysh koeficientit e rrezikshmërisë që do të thotë duhet të fokusohet në infrastrukturën ligjore. Një ekspertizë të lartë, të përgatitjeve të kuadrove dhe aplikimin e teknologjive më të reja për mbrojtje kibernetike”, tha tutje ai.

Ndërkaq, po ashtu shtoi se si anëtar i Komisionit do ta jep kontributin për një ligj funksional, i cili do të mbrojë institucionet, qytetarët dhe interesin e përbashkët të të gjithëve. /Telegrafi/