Telegrafi

Sulmet kibernetike në Kosovë kanë ardhur nga Serbia dhe Bosnja, u tentua bllokimi i komunikimit të zyrtarëve të lartë (Video)

Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë të Shoqërisë së Informacionit, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth sulmit kibernetikë që është bërë ndaj institucioneve të Kosovës.

Gashi ka bërë të ditur se ka pasur cenim por jo marrje në kontroll të sistemit shtetëror të informacionit.

“Ne si institucione shtetërore jemi ballafaquar me sulme kibernetike. Sistemet shtetërore janë sulmuar por kanë qenë të pasuksesshme që të thyhet e-mailet zyrtare dhe sistemi i informacionit. Mirëpo, nuk ka pasur hackim apo marrje në kontroll të sisteme të institucioneve dhe marrje të e-maileve. Kjo mënyrë e sulmeve quhet DDOS që do ta pamundësonte funksionimin e tyre”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se ka pasur tentativë për pamundësimin e komunikimit të zyrtarëve të lartë.

“Mund ta konfirmojmë se ka pasur tentativë të pamundësohet komunikimi i zyrtarëve të lartë qeveritar e diplomatikë. Të gjitha kapacitetet njerëzore kanë qenë në dispozicion. Pra, ka tentuar të ketë cenim por jo marrje të sistemit elektronik”, ka thënë ai.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë të Informacionit, Kujtim Gashi, gjatë intervistës në Telegrafi.com

Gashi ka treguar se burimet e sulmeve kanë ardhur nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe pjesërisht nga Maqedonia.

“Nuk mund ta konfirmojmë, por mund të themi që cenimi ka mundur ka qenë nga shtetet armike. Burimet e sulmeve vijnë nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, pjesërisht nga Maqedonia që kanë mundur t’i përdorin IP-të dhe për këtë jemi në bisedime me Policinë e Kosovës. Motivin nuk mund ta komentojmë”, ka shtuar Gashi.

Sipas tij, rastin nuk mund ta komentoj askush përveç zyrtarëve shtetëror të informacionit.

“Për rastin askush nuk mund të komentoj përveç zyrtarëve shtetëror përkatës të informacionit. Ne jemi i vetmi institucion që kemi informatën e dorës së parë dhe kemi qasje në rrjetin shtetëror të informacionit. Janë ngritur masat për parandalim dhe ofrojmë mbështetje për të gjitha institucionet. Të gjitha uebfaqet që kanë qenë të hostuara në sistemin e shtetëror nuk kanë pësuar asnjë rënie”, ka thënë ai. /Telegrafi/