Site icon Telegrafi

Sulm në një kishë në Kajro, nëntë të vdekur

Një person i armatosur ka hapur zjarr sot pranë një kishe në periferi të Kajros dhe në një dyqan të afërt, ku nga shkëmbimi i zjarrit kanë humbur jetën së paku 9 persona, në mesin e të cilëve 8 krishterë, thanë autoritetet egjiptiane.

Po ashtu një oficer i policisë ka humbur jetën, ndërsa edhe sulmuesi është vrarë, njoftuan zyrtarët.

“Pesë vetë u plagosën, duke përfshirë edhe një oficer tjetër të policisë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Khaled Megahed.

Sulmi filloi kur personi i armatosur me një motoçikletë u përpoq të thyej kordonin e sigurisë jashtë Kishës Koptike të Mar Mina.

Nuk ishte e qartë se sa sulmues ishin përfshirë në sulm. Ministria e Brendshme e Egjiptit përmend vetëm një sulmues, por kisha ortodokse koptike njoftoi se ishin disa “njerëz të armatosur”. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version