Suedia ka nevojë për rreth 64 mijë emigrantë në vit, për të parandaluar rënien e rritjes ekonomike në vend, gjë që po shkaktohet nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Kjo është bërë e ditur nga Departamenti Suedez i Punësimit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Po sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, Drejtori i Përgjithshëm i këtij Departamenti, Mikael Sjöberg i tha televizionit shtetëror se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në fillim të vitit të ardhshëm mund të dëmtojë në mënyrë të konsiderueshme Suedinë.
E nga Zyra e Punësimit kanë deklaruar se për shkak të mungesës së popullsisë vendase për punë, është i nevojshëm një numër i punëtorëve të huaj.
“Norma e lindjeve në Suedi është shumë e ulët. Popullsia vendore është duke u reduktuar. Për të vazhduar rritjen e mëtejme, nevojitet punë dhe për këtë arsye edhe numër më i madh i popullsisë”, ka thënë Johan Bissman nga Departamenti i Punësimit.
Ai ka shtuar se disa kompani janë tashmë duke ndjerë efektet e mungesës së punëtorëve, duke theksuar se ky problem do të rritet vitin e ardhshëm, përcjell Telegrafi.
Sipas Departamentit për Punësim të Suedisë, reduktimi i numrit të njerëzve që lënë shkollën e mesme para përfundimit të arsimit të tyre dhe rritja e moshës së daljes në pension, janë mënyrat që mund të lehtësojnë situatën, por si një zgjidhje afatgjatë vlerësohet emigracioni. /Telegrafi/