Telegrafi

Suedia konfirmon rastin e parë të variantit të ri të COVID-19

Autoritetet shëndetësore suedeze kanë diagnostikuar një rast të variantit të ri të coronavirusit në rajonin e Sormland, në periferi të Stokholmit, sipas një njoftimi për shtyp nga Agjencia e Shëndetit Publik.

Personi në fjalë, i cili rezultoi pozitiv për variantin e ri të coronavirusit, kishte udhëtuar në Suedi gjatë Krishtlindjeve nga Britania e Madhe, ku varianti i ri po qarkullon tash e sa ditë, raporton cnn.

Personi nuk ka nevojë për trajtim spitalor në këtë fazë dhe po ndjek të gjitha udhëzimet e nevojshme për të mos infektuar ndonjë tjetër, shpjegoi mjeku i ngarkuar me gjurmimin e kontaktit dhe kontrollin e infeksionit në rajonin e Sormland, Signar Makitalo.

Suedia ka zgjatur ndalimin e udhëtimit për pasagjerët që mbërrijnë nga Britania deri më 21 janar 2021.

Kufizimet u njoftuan së pari nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Ann Linde, përmes një cicërime në Twitter. /Telegrafi/