Site icon Telegrafi

Suedia deporton një person me lidhje të dyshuar me grupin militant kurd

Suedia të premten deportoi një burrë kurd me lidhje të dyshuara me grupin militant kurd PKK, tha një ministër i qeverisë për Televizionin Suedez, derisa Ankaraja vazhdon t’i bëjë presion vendit nordik të përmbushë kërkesat në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Mahmut Tat kishte kërkuar azil në Suedi në vitin 2015 pasi u dënua në Turqi me gjashtë vjet e 10 muaj për lidhje të dyshuara me PKK-në. Kërkesa e tij përfundimtare për azil u refuzua vitin e kaluar nga Agjencia Suedeze e Migracionit, transmeton Telegrafi.

Ministrja suedeze e Migracionit, Maria Malmer Stenergard nuk iu përgjigj kërkesave për koment, por tha për kanalin SVT se qeveria nuk kishte luajtur asnjë rol në vendim.

“Bëhet fjalë për një rast deportimi ku një individi iu është refuzuar kërkesa për azil”, tha ajo për SVT. “Qeveria nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen për kërkesat për azil”.

Televizioni shtetëror turk TRT tha se ai u dërgua në një burg të Stambollit të shtunën. Autoritetet suedeze nuk ishin menjëherë të disponueshme për koment.

Suedia dhe Finlanda aplikuan në maj për t’u anëtarësuar në NATO në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, por hasën në kundërshtime nga Turqia, pasi kjo e fundit akuzoi të dyja vendet se po strehojnë militantë nga Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe grupe të tjera.

Turqia tha të mërkurën se Suedia dhe Finlanda kishin bërë progres drejt anëtarësimit në NATO, por se ata ende duhet të bëjnë më shumë për të kënaqur kërkesat e Ankarasë për të luftuar grupet militante. /Telegrafi/

Exit mobile version