Kombëtarja e Suedisë i është bashkuar asaj të Polonisë duke refuzuar të luajë kundër Rusisë në ndeshjen “play-off|” për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Në fillim të kësaj jave, Polonia njoftoi se do të bojkotonte gjysmëfinalen e “play-off” kundër Rusisë më 24 mars, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Suedia do të përballet me Republikën Çeke në gjysmëfinalen tjetër, por tani ka konfirmuar se nuk do të luajë me Rusinë nëse dy skuadrat takohen në finale më 29 mars.
Në një deklaratë të lëshuar nga Federata Suedeze e Futbollit konfirmohet refuzimi i tyre për të luajtur me Rusinë.
“Ekipi kombëtar i meshkujve nuk do të luajë kundër Rusisë – pavarësisht se ku luhet ndeshja”.
“Bordi Federal i kërkon gjithashtu FIFA-s të anulojë ndeshjet e play-off-it në mars, në të cilat merr pjesë Rusia”, thuhet në komunikatë.
After #Poland National Team, #Sweden National Team have refused to play in and against #Russia in the World Cup's Playoff for Qatar 2022 on March https://t.co/Hq3Ecl0ykT
— Nicolò Schira (@NicoSchira) February 26, 2022
Kryetari i Federatës Suedeze të Futbollit, Karl-Erik Nilsson, gjithashtu foli rreth refuzimit.
“Pushtimi i paligjshëm dhe thellësisht i padrejtë i Ukrainës aktualisht i bën të pamundura të gjitha shkëmbimet e futbollit me Rusinë”.
“Prandaj ne i bëjmë thirrje FIFA-s që të vendosë që ndeshjet e play-off-it në mars në të cilat merr pjesë Rusia të anulohen”.
“Por, pavarësisht se çfarë vendos FIFA të bëjë, ne nuk do të luajmë kundër Rusisë në mars”.
“Ne e kemi të vështirë të besojmë se FIFA nuk do të ndjekë thirrjen tonë. Rusia nuk mund të bashkohet për sa kohë që kjo çmenduri vazhdon”, ka thënë Nilsson. /Telegrafi/