Një zyrë e prokurorisë suedeze akuzoi sot një 47-vjeçar për spiunim në dobi të Rusisë, ku për disa vjet i ka dhënë informacione një diplomati rus në këmbim të parave.
Prokurori Mats Ljungqvist tha se i akuzuari, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur, menjëherë para arrestimit të tij, në shkurt të 2019, mori rreth 2700 euro nga një oficer i inteligjencës ruse i cili, nën petkun e një diplomati, punonte në ambasadën ruse në Stokholm.
Shërbimi publik suedez SVT raportoi se i akuzuari ishte një shtetas suedez dhe se punonte për kompaninë suedeze të automjeteve Volvo në Gothenburg, si dhe për prodhuesin e kamionëve Scania, shkruan thelocal.se.
“Kjo çështje lidhet me një krim që rrezikon sigurinë e Suedisë”, tha prokuroria duke shtuar se i akuzuari transferoi në mënyrë të paligjshme materiale nga kompjuteri i tij në punë në një kompjuter privat, dhe pastaj në një memorie USB, si dhe se ai fotografoi të dhëna nga ekrani i kompjuterit të tij.
Nëse akuzat konfirmohen, ai mund të marrë një “dënim të gjatë”, shtoi prokurori. Në Suedi, dënimi maksimal për spiunazh është gjashtë vjet. /Telegrafi/