Në një deklaratë e cila i është drejtuar policisë nga Drejtori Menaxhues i “Stupcat Group”, Vedat Bajrami, kërkohet që të hetohet kompania “On Air Fm” e cila është marrur me menaxhimin e kanalit të Stupcave në Youtube, “Stupcat TV”.
Sipas Bajramit, “On Air Fm” përveç që nuk është përkujdesur për mirëmbajtjen e kanalit të Stupcave në Youtube, ka bërë shpërndarje të materialit të krijimtarisë artistike të treshes humoristike nëpër kanalet tjera të cilat kanë qenë drejtpërdrejtë konkurrente të kanalit “Stupcat TV” duke i dëmtuar këta të fundit nga ana financiare.
Po ashtu këto kanale konkurrente që kanë dëmtuar “Stupcat TV” kanë qenë të lidhura drejtpërdrejtë me “On Air Fm”, duke i mundësuar kësaj të fundit që të ketë përfitime materiale nga këto keqpërdorime.
Poashtu në deklaratën e Bajramit, thuhet se “On Air Fm” në bazë të kontratës me “Stupcat Group” ka pasur obligim që tu dërgojë të dhëna statistkore mujore të klikimeve në kanalin e Stupcave në Youtube.
Mirëpo kjo kompani ka shkuar deri në atë nivel sa edhe i kanë fshirë të gjitha të dhënat analitike mujore të kanalit “Stupcat TV”, të dhëna të cilat janë regjistruar deri në tetor të 2016.
Prej muajit gusht të vitit 2016 është vënë re që kanali i “Stupcat TV” ka pasur rënie drastike të të hyrave në Youtube dhe poashtu nuk ka pasur reklama.
Lidhur me këto keqpërdorime “Stupcat Group” kanë vendosur që ta mbyllin kanalin e tyre në Youtube dhe të gjithë krijimtarinë e tyre artistike ta vendosin në platformën Gjirafa Video. /Telegrafi/