Site icon Telegrafi

Stuhi e vetëtima për katër orë, “spektakël natyror” në Britani (Foto)

Stuhitë dhe shiu i rrëmbyer kanë pllakosur pjesën jugore të ishullit të Britanisë së Madhe, me vetëtima që kanë zbardhur në mënyrë spektakolare qiellin mes errësirës së një nate të zakonshme.

Siç raportojnë mediat, përcjell tch, rreth 15 mijë vetëtima janë regjistruar brenda katër orësh mesnatën e së shtunës.

Kjo solli që Aeroporti “Stansted” të raportonte për vonesa në fluturime mëngjesin e kësaj të diele, pasi një goditje vetëtime nxori jashtë funksioni përkohësisht sistemin e furnizimit me karburant të avionëve.

Shërbimi kombëtar i motit, “Met Office” lëshoi paralajmërim në stadin e ngjyrës së verdhë për të pasur kujdes nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet përgjatë Uellsit dhe shumicës së territorit të Anglisë.

Mëngjesin e së dielës, stuhitë shkaktuan më shumë sesa 25 mm shi në disa pjesë të Uellsit dhe Midlands, për më pak se një orë.

Por, nuk ka mbaruar me kaq, pasi Uellsi dhe Anglia jugore do të përballen sërish me stuhi e vetëtima këtë fundjavë e deri të hënën, ndërsa shërbimi meteorologjik paralajmëron edhe për kufizime të mundshme energjie, apo vonesa të trenave dhe autobusëve.

Shumë njerëz, pavarësisht situatës së rënduar të motit, shfrytëzuan rastin për të bërë foto dhe video mesnatën e së shtunës, për të përjetësuar në fotografitë e tyre spektaklin që dhuroi stuhia elektrike, që u mbiquajt edhe si “krejtësisht e çmendur”, apo si të kishin qenë “nën dritën e një blici”.

Exit mobile version