Site icon Telegrafi

Studiuesi Jusuf Osmani zbulon dokumente të reja arkivore: Në Sanxhakun e Nishit ka pasur 716 vendbanime me shqiptarë

Në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com është diskutuar për veprat lidhur me shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit.

Në intervistë ka folur studiuesi i arkivistikës Jusuf Osmani, i cili ka publikuar shtatë veprat “Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit – Muhaxhirët” në 7 vëllime.

Osmani në këtë emision me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka treguar rëndësinë e këtyre veprave, të dhënat e grumbulluara, vrasjet që ndodhën, shkatërrimin e pasurisë që është bërë, qëllimin e publikimit, përkthimin e dokumenteve e mbledhjen e arkivave të ndryshme.

Studiuesi Osmani thotë se në këto vepra janë detajet e dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku, vuajtjet e maltretimet e deri të vendosja e tyre në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë, Turqi e deri në vendet arabe.

Ai thotë se më këtë ka përmbushur kërkimet e tij për maltretimet që u ndodhën shqiptarëve që u dëbuan nga këto treva që sot janë në Serbi.

Osmani thotë se përfundimi i shtatë vëllimeve ka kërkuar një përkushtim të madh, në një kohë të gjatë prej 20 vitesh.

Jusuf Osmani, autor i vëllimeve “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit” në intervistë me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu/ Foto Ridvan Slivova

“Kam hulumtuar dokumentet arkivore në arkivat e vendeve të rajonit dhe Turqisë, kam hulumtuar literaturën e paktë që është botuar për këtë temë, por edhe kam vizituar vendbanimet ku janë vendosur muhaxhirët duke përfshirë Turqinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe mos të flasim më Kosovën”.

Studiuesi i arkivistikës thotë se në libra janë dokumentuar edhe tapitë e pronave në Sanxhakun e Nishit, pastaj rrëfimet e të dëbuarve që janë përcjellë brez pas brezi.

Ai thotë se ideja për këto libra ka lindur pasi që duke bërë kërkime për veprat “Vendbanimet e Kosovës” ka vërejtur se janë shumë vendbanime që popullohen nga muhaxhirët.

Osmani ka zbuluar të dhëna interesante ku thotë se në Sanxhakun e Nishit ka pasur 716 vendbanime me shqiptarë.

Jusuf Osmani, autor i vëllimeve “Shqiptaret në Sanxhakun e Nishit” / Foto Ridvan Slivova

“Nga këto 716 vendbanime, 416 vendbanime kanë qenë të pastra shqiptare, derisa të tjerat kanë qenë të përziera me popullatë shqiptare, serbe, turke, hebreje, çerkeze e rome. Shqiptarët në Nish kanë jetuar në një tërësi prej 10,972 km2”.

Hulumtuesi thotë se ka hasur në dokumente ku shqiptarë autoktonë ka pasur edhe në Pashallëkun e Beogradit.

Autori i shtatë vëllimeve ”Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit – Muhaxhirët” thotë se ai me ndihmën e bashkëpunëtorëve ka arritur deri në një pikë të hulumtojë për këtë temë, por sipas tij duhet edhe ndihma e shtetit.

Osmani thotë se ndërkombëtarëve duhet t’iu tregohet se shqiptarët janë shtri deri te vendbanimi i quajtur “Katun”, i njohur edhe si Molla e Kuqe./Telegrafi/

Exit mobile version