Gjumi luan një rol të madh në shëndetin e përgjithshëm, por kur bëhet fjalë për mbajtjen e një peshe të shëndetshme, sa gjumë na duhet në të vërtetë?
Në një studim të ri të paraqitur në Kongresin Evropian për Obezitetin, shkencëtarët i janë afruar përgjigjes kësaj pyetjeje.
Për këtë studim, pak më pak se 200 të rritur obezë u udhëzuan t’i përmbaheshin një diete të rreptë për tetë javë. Pjesëmarrësit humbën mesatarisht 12 për qind të peshës së tyre trupore.
Ekipi që kreu këtë studim donte të zbulonte se si faktorë të ndryshëm do të ndikojnë në ruajtjen e humbjes së peshës gjatë gjithë vitit. Janë matur edhe shprehitë e gjumit të pjesëmarrësve dhe cilësia e gjumit, shkruan Mind Body Green.
Bazuar në gjetjet e këtij studimi, duket se gjumi i mjaftueshëm cilësor mund të jetë një ndihmë e madhe kur bëhet fjalë për mbajtjen e një peshe të shëndetshme, dhe përveç kësaj, stërvitja përmirëson gjumin.
Jo vetëm që kohëzgjatja e gjumit dhe cilësia e gjumit u rritën te të gjithë pjesëmarrësit pas planit të tyre fillestar tetë-javor të dietës, por individët që ushtroheshin gjatë studimit ishin në gjendje të ruanin atë gjumë të përmirësuar, ndërsa ata që nuk ushtroheshin nuk arritën ta bënin këtë.
Ata që flinin më pak se gjashtë orë në natë, mesatarisht, dhe ata që raportuan gjumin me cilësi të dobët, vunë re një rritje të indeksit të masës trupore (BMI) gjatë vitit.
Bashkautori i studimit Adrian Bogh tha se ishte befasuese se si humbja e peshës te të rriturit përmirësoi kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit në një kohë kaq të shkurtër dhe se si stërvitja për të mbajtur një peshë të shëndetshme përmirësonte cilësinë e gjumit.
Gjithashtu, shtoi ai, “ishte intriguese që të rriturit që nuk flenë mjaftueshëm ose kanë cilësi të dobët të gjumit pas humbjes së peshës duken më pak të suksesshëm në ruajtjen e humbjes së peshës sesa ata me gjumë të mjaftueshëm cilësor”. /KP