Tashmë kur janë finalizuar punimet në parkingun nëntokësor në hapësirat e oborrit të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, qytetarët kanë shprehur pakënaqësi për çmimet e larta të parkingu.
Kurse studentët po i pengon fakti që hapësira e gjelbëruar në oborrin e fakultetit, është kthyer në hapësirë komerciale për biznese.
Blerta Zeqiraj nënkryetare e Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për Telegrafin tha se tanimë nuk ka hapësira të mjaftueshme për studentët.
Ajo tutje shtoi se hapësirat e gjelbëruara janë kthyer në ambiente të bizneseve të cilat sipas saj do të bojkotohen nga vetë studentët.
“Kjo i ndikon drejtpërdrejt te studentët, pasi nuk ka hapësirë të mjaftueshme rekreative ku studentët mund të dalin në pauzë. Në vend të hapësirës rekreative në oborrin e fakultetit të Universitetit të Prishtinës janë ngritur biznese private, të cilat do të bojkotohen nga studentët e Fakultetit Filologjik”, tha Zeqiraj.
Zeqiraj po ashtu deklaroi se nuk janë kundër projektit në tërësi, por shqetësues është fakti që hapësira e oborrit është reduktuar.
Sipas saj nga legjislatura e kaluar e Komunës së Prishtinës iu ishte premtuar se do të ketë më shumë hapësira për ta, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Në thelb nuk jemi duke e kritiku projektin si tërësi, por për ne është shqetësues fakti, që hapësirat e gjelbërura janë reduktuar, e neve na është premtuar e kundërta. As statuja e Fehmi Aganit nuk është rivendosur në vendin ku ishte, por e ka mbuluar pluhuri ne podrumin e Filologjisë. Nga Komuna na është premtuar që do të ketë hapësira më të mëdha të gjelbëruara, gjë që nuk ka ndodhë. Në anën tjetër deri me tani nuk kemi kurrfarë reagimi nga udhëheqësia e tanishme e Komunës së Prishtinës”, deklaroi ajo.
Ndërsa Erëza Arifi, studente, tha se ndjehet e zhgënjyer me planin përfundimtar të parkingut nëntokësor pranë filologjikut.
“Ne si studentë të Fakultetit të Filologjisë ndihemi shumë të zhgënjyer me përfundimin e këtij projekti, shkaku se që nga fillimi është premtuar se hapësira e gjelbëruar do të rikthehet edhe më mirë se përpara, e jo për t’u zëvendësuar me hapësira për zhvillime te bizneseve të ndryshme”, tha ajo për Telegrafin.
Parkingu nëntokësor do të ketë 23 mijë metra katrorë hapësirë. Dy kate me nga 11 mijë e 500 metra katrorë dhe përafërsisht 700 vende të parkingu të gatshme për tu shfrytëzuar nga qytetarët. Hapja solemne e këtij parkingu pritet të bëhet në fund të muajit nëntor./Telegrafi/