Nën organizimin e OASA e.V, Organizatës së Studentëve dhe Almuni Shqiptarë në Berlin, të dielën më 20 Mars duke filluar në orën 12:00 në ambientet e Universitetit Teknik të Berlinit (Str. des 17 juni, 133, Instituti i Kimisë), do të pritet delegacioni i udhëhequr nga ish-Kongresmeni Joseph DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes, respektivisht Kryetar dhe Këshilltare për Çështje të Ballkanit, të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në nderim të punës mbi çerekshekullore të lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi të lumtur, që në mesin tonë të dielën, do të kemi dy figura kyçe të historisë kombëtare siç janë z. DioGuardi dhe znj. Cloyes. Kongresmeni DioGuardi është simbol i luftës së pa rezervë lobiste dhe diplomatike për kauzën kombëtare shqiptare dhe gurthemel i miqësisë moderne shqiptaro-amerikane,” ka thënë Agon Kamberi, udhëheqësi OASA-s.
Rol i rëndësishëm që lobi shqiptar në SHBA ka luajtur është i paçmueshëm.
“Ne ndihemi krenar të mirëpresim delegacionin nga Amerika në krye me z. DioGuardi,” ka shtuar Kamberi.
Ndërsa, një ndër anëtarët e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, profesori Faton Bislimi, i cili ka organizuar vizitën e DioGuardit në Berlin, ka theksuar se pa përkushtimin vetëmohues të diasporës shqiptare kudo në botë, e veçcanerisht asaj në SHBA, Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur e i lirë në miqësi të vërtetë më SHBA-në, e as Shqipëria nuk do të ishte një demokraci dhe anëtare e NATO-s.
“Përkundër këtyre arritjeve, ne në vazhdimësi punojmë me miqtë tanë në Kongresin dhe Administratën e SHBA-së për të çuar përpara çështjen shqiptare ne Maqedoni, Mal të Zi, edhe Luginën e Preshevës”, ka thënë Bislimi.
Përpos takimit publik të së dielës, ku të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur, delegacioni nga Amerika do të ketë edhe takime tjera në Berlin me zyrtarë gjermanë.
“Ne u jemi thellësisht mirënjohës Organizatës së Studentëve dhe Alumni Shqiptarë në Berlin për punën e palodhur në organizimin e këtij evenimenti, ku fjalime do të mbajnë z. DioGuardi e znj. Cloyes, fjalime të cilat do të ndiqen nga një diskutim me publikun, nën moderimin e znj. Vjollca Hajdari”, ka shtuar Bislimi, duke potencuar edhe ndihmesën e madhe që ka dhënë Kompania Ecolog International e drejtuar nga z. Lazim Destani për realizimin e kësaj vizite të delegacionit të kryesuar nga DioGuardi në Gjermani.
“Gjeneratat e reja shqiptare kudo që janë, e veçanërisht ato në diasporë, sikur ne në Gjermani, nuk duhet asnjëherë të harrojnë të kaluarën dhe kontributin e atyre, duke përfshirë këtu edhe figurën historike të DioGuardit, që bënë të pamundurën për kombin tonë. Historia jonë ka qenë e mundimshme, por duke e njohura të sa më drejtë, ne po ndërtojmë një të ardhme më të qartë”, ka përfunduar Kamberi.
Për informata shtesë në lidhje me këtë aktivitet si dhe për t’u regjistruar si pjesëmarrës, vizitoni webfaqen zyrtare të OASA-s: www.oasa.berlin