Site icon Telegrafi

Strugë, në tri dekada nuk është hapur asnjë kopsht për fëmijë

Derisa në Ohër në tre vitet e kaluara janë hapur katër kopshte të reja për fëmijë, në Strugë në tri dekadat e fundit nuk është realizuar asnjë projekt i këtillë. Nga komuna e Ohrit për Alsat M informojnë se prej viti 2013 deri sot janë hapur tri klasa në kuadër të kopshtit për fëmijë Jasna Risteska në mjediset rurale dhe një në qytet.

Nga komuna e Strugës shprehen se ndërtimi i objekteve kapitale është në duart e shtetit, duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të punës dhe politikës sociale Dime Spasov, se riparimi ose ndërtimi i objektit të ri është në kompetencë të komunës, dhe se autoritet lokale në Strugë deri më tani nuk kanë kërkuar ndihmë prej tyre.

Autoritetet lokale të Strugës shprehen skeptik dhe nuk presin që ky problem të zgjidhet deri në shtator.

Ndërkohë, në Strugë prindërit ankohen se fëmijët e tyre në kopshtin ekzistues për fëmijë “Dielli” mësojnë në kushte joadekuate dhe në paralele me më shumë se 30 fëmijë. Kërkojnë që të ndërtohet një kopsht i ri për fëmijë me qëllim që të zgjidhet edhe problemi hapësinor. Në të kundërtën kërcënohen se nëse nuk ka vesh për kërkesat e tyre do të dalin në protesta masive.

Derisa drejtori i kopshtit për fëmijë Sasho Kleçkaroski deklaroi se përkundër paralajmërimeve të ministrit, në kopshtin e tyre nuk janë paraqitur shërbime inspektuese për të kontrolluar gjendjen. /Telegrafi/

Exit mobile version