Migrimi masiv i dibranëve ka ndikuar që shumë familje në raste gëzimi apo pikëllimi të mos jenë bashkë. Sidomos janë prindërit ata që vuajnë nga këto ndarje familjare, njofton Koha.mk
Në komunën e Dibrës ka nje rritje të numrit të pacientëve të cilët kanë problem psikike. Institucionet shëndetësore japin të dhëna të cilët faktikisht pohojnë se një nga shkaqet kryesore të rritjes së numrit të sëmundjeve psikike janë problemet të shumta sociale, me të cilët ballafaqohet popullata në shoqërinë në të cilën jetojmë. Fazat e sëmundjeve psikike janë të ndryshme, por qëndron fakti se rritja e këtyre sëmundjeve është sidomos te të rinjtë të cilët janë të papunësuar si dhe te anëtarët e familjeve me probleme të shumta sociale.
Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër, në njësinë e psikiatrisë theksojnë se sëmundjet psikike janë evidente sidomos te të rinjtë. Psikologu Admir Kosovrasti thekson se papunësia dhe problemet ekstreme sociale janë shkaqet që drejtpërdrejtë ndikojnë në rritjen e numrit të pacientëve që kanë probleme psikike. Sipas Kosovrastit, sidomos janë prezent streset, të cilët pastaj kalojnë në faza të tjera të sëmundjeve në fjalë. Janë prezent psikozat, depresionet, ankthet etj. Janë problem shëndetësore të cilët kërkojnë një trajtim të sigurt shëndetësor, me qëllim qa ata të mos kalojnë në faza më të rënda të sëmundjes. Sipas psikologut Admir Kosovrasti, të rinjtë të cilët kanë probleme psikike, thonë se janë pa punë, nuk mund të planifikojnë jetën e tyre, duan të migrojnë dhe nuk kanë mundësi të arrijnë qëllimet e tyre të përcaktuara në jetë pas përfundimit të studimeve apo shkollave të tjera. Streset dhe depresionet, për fat të keq, te disa nga ata kalojnë në faza më të rënda.
Një problem tjetër qe ndikon në rritjen e numrit të sëmundjeve psikike është edhe pakompaktësia në familjet. Migrimi masiv i dibranëve ka ndikuar që shumë familje në raste gëzimi apo pikëllimi të mos jenë bashkë. Sidomos janë prindërit ata që vuajnë nga këto ndarje familjare, thekson Kosovrasti. Nëse kemi parasysh se më shumë dibranë ka në mërgim se sa në vendlindje, atëherë është e qarët kjo problematikë edhe atë vite me radhë. Migrimi i popullatës dhe kurbeti po ashtu ka bërë që të jetojnë të ndarë bashkëshortët. Dhe është krejt normale të paraqiten problemet psikike tek bashkëshortët. Duke marrë parasysh se në Dibër 1/3 e popullatës jeton me ndihma sociale, atëherë është e qartë se mbi 4 mijë anëtarë të familjeve në fjalë kanë probleme ekstreme sociale. Problemet për sigurimin e ushqimit, pagesën te faturave , por edhe problemet për shkollimin të fëmijëve ndikojnë me të madhe në problemet shëndetësore psikike. Kjo situatë shumë prindër i detyron të bëhen persona që përdorin alkoolin.
Sa u takon profesioneve të cilët vuajnë më shumë nga streset, bashkëbiseduesi thotë se janë profesionet intelektuale dhe sidomos ata që janë në pozita udhëheqëse. Ai nuk preferon të flasë shumë në këtë drejtim, por shton se shërimi i tyre bëhet jashtë Dibre, duke marrë parasysh se qyteti është i vogël dhe nuk ka dëshirë askush të dijë për problemet shëndetësore të tjetrit. Kur jemi te sëmundjet në fjalë duhet theksuar se te ata ndikojnë edhe situatat e përgjithshme në shoqëri. Duke komentuar problemet psikike në fjalë, psikologu Kosovrasti thekson se edhe në Dibër përdorimi i medikamenteve qetësuese është dukshëm prezent. Diazepami dhe medikamentet e tjera përdoren me rekomandim të mjekëve, por shpesh edhe pa rekomandim. Është kjo një dukuri shqetësuese, thotë ai dhe thekson se Dibra radhitet në qytetet ku përdorimi i këtyre qetësuesve është i tepërt. Në Spitalin e Dibrës të gjithë rastet trajtohen në mënyrën e duhur shëndetësorë, por që problemi i këtyre sëmundjeve është në rritje është evidente./Telegrafi/