Telegrafi

Strasburgu refuzon kërkesën e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Adrian Fullanit

Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar ankimimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Ky i fundit kishte çuar çështjen në këtë gjykatë ndërkombëtare, pasi kundërshtonte shkarkimin e tij nga detyra.

Kjo padi u regjistrua në gjykatë në 22 nëntor të vitit 2019, dhe më pas Strasburgu solli pyetjet për Shqipërinë nëse janë respektuar procedurat ligjore.

Ardian Fullani u shkarkua në 2014 pasi u akuzua për shpërdorim detyre, pas zhdukjes së 713 milionë lekëve.

Më pas, Fullani u arrestua nga policia dhe gjykata e la në “arrest shtëpie”. Në dhjetor të 2015, Fullani u shpall i pafajshëm nga Apeli.

Në vendimin përfundimtar të gjykatës thuhet se: “Gjykata konstatoi se z. Fullani nuk kishte përdorur të gjitha mjetet juridike të brendshme në dispozicion të tij”.

“Në veçanti, ai nuk kishte paraqitur një ankesë kushtetuese e cila, që nga ndryshimet në Kushtetutën e vitit 2016, kishte qenë në parim, një mjet efektiv në lidhje me pretendimet e ndonjërit, shkelje e të drejtave të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Protokollet e saj që është ratifikuar nga Shqipëria”. /Telegrafi/