Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se aleanca ende nuk ka parë shenja në terren për të mbështetur pretendimet ruse se ka tërhequr disa trupa nga zonat kufitare me Ukrainën.
Megjithatë, sipas tij, ka shenja nga Moska se ajo është e gatshme të vazhdojë dialogun për të dhënë ka hapësirë për shpresë se një krizë në rajon mund të shmanget, përcjell Telegrafi.
“Ka shenja nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë; kjo jep bazë për optimizëm të kujdesshëm. Por deri më tani, ne nuk kemi parë asnjë shenjë të de-përshkallëzimit në terren”, ka thënë Stoltenberg në Bruksel më 15 shkurt.
Duke folur përpara një takimi dy-ditor të ministrave të mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s, Stoltenberg e quajti forcën luftarake të grumbulluar nga Rusia në dhe rreth Ukrainës “të paprecedentë që nga Lufta e Ftohtë”.
“Tani gjithçka është në vend për një sulm të ri. Por Rusia ka ende kohë të tërhiqet, të ndalojë përgatitjen për luftë dhe të fillojë të punojë për një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.
Rusia pretendoi më 15 shkurt se po tërhiqte disa nga 130,000 trupat që ka vendosur në zonat afër kufirit ukrainas në bazat e tyre, në atë që do të ishte hapi i parë drejt de-përshkallëzimit.
Rusia ka këmbëngulur se nuk ka plan për të pushtuar, por në të njëjtën kohë ka thënë se dëshiron garanci për çështjet e sigurisë evropiane, duke përfshirë një angazhim të NATO-s për të mos u shtrirë në vende si Ukraina, apo një tjetër ish-republikë sovjetike, Gjeorgjia. /Telegrafi/