Telegrafi

Stoltenberg për takimin Kurti-Vuçiq: Jemi të zhgënjyer, përshkallëzimi duhet të shmanget

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se NATO është e zhgënjyer që nuk është arritur të gjendet zgjidhje për problemin e targave në veri të Kosovës.

“Fol me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Jemi të zhgënjyer që nuk ishte e mundur të zgjidhej mosmarrëveshja e targave. Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget. KFOR-i mbetet vigjilent”, ka shkruar Stoltenberg.

Ndryshe, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.

Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka folur me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg për ta informuar për takimin e sotëm në Bruksel.

“E informova Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për rezultatin zhgënjyes të takimit të sotëm të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Përshkallëzimi duhet të shmanget. BE dhe NATO mbeten të koordinuara, edhe në terren. EULEX-i po monitoron nga afër situatën”, ka shkruar Borrel në Twitter./Telegrafi/