Në prag të referendumit të planifikuar për më 30 shtator, në Shkup këtë javë për vizitë zyrtare do të qëndrojnë vijnë kancelarët e Gjermanisë dhe Austrisë, Angela Merkel dhe Sebastian Kurtz, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Ardhjen e tyre e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se vizita e tyre këtë javë është një sinjal pozitiv, mirënjohje dhe mbështetje për Maqedoninë.
“Të mërkurën në mbrëmje vjen Stoltenberg, për herë të dytë në gjashtë muaj, të premten kancelari austriak Kurtz, ndërsa të shtunën Merkel. Ardhja e tre burrështetasve botërorë është mirënjohje për Maqedoninë, sinjal pozitiv. Ata na e shtrijnë dorën që të shkojmë përpara”, theksoi Zoran Zaev, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas tij, edhe opozita është e vetëdijshme se ky është momenti për BE-në dhe NATO-n, moment kur të gjithë, siç theksoi, duhet të jemi së bashku dhe të bashkohemi për Maqedoninë evropiane. Zaev theksoi se është i bindur se qytetarët e Maqedonisë do ta njohin dhe nuk do ta humbin shansin historik që do ta sigurojë ardhmërinë e shtetit dhe gjeneratave të ardhshme.
Merkel të shtunën vjen në Shkup, siç paralajmëroi zëdhënësi i saj Steifen Zeibert, që nga dora e parë të formojë përshtypje për referendumin vijues.
Mesazh për inkurajim mbrëmë dërgoi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini. Ajo porositi se Maqedonia duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen edhe për fillim të negociatave për inkuadrim me BE-në./Telegrafi/