Site icon Telegrafi

Stoltenberg: Ka rritje të tensioneve në Kosovë, e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj

Në Bruksel ka nisur takimi dy-ditor i ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Në nisje të këtij takimi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur për praninë e Aleancës veri-atlantike përmes misionit të saj KFOR.

“Po ashtu adresojmë edhe praninë tonë në Kosovë. Kemi rritje të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.

Në këtë takim i cili do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, 30 ministra të mbrojtjes të vendeve anëtare do të diskutojnë sfidat e shumta me të cilat përballet Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Temat në rendin e ditës pritet të jenë lufta në Ukrainë dhe si të ndihmohet Kievi që t’i rezistojë sulmeve ruse dhe të bëjë përparim në kundërofensivë, veçanërisht në dritën e dimrit që po vjen dhe sulmeve gjithnjë e më të shpeshta të Moskës ndaj energjisë së Ukrainës, dhe sulmit ndaj Izraelit nga grupi militant palestinez Hamas. /Telegrafi/

 

Exit mobile version