Vazhdon të jetë aktuale dhe të komentohet paraqitja e këngëtares shqiptare, Jonida Maliqi, në “Eurovision 2019”.
Artistja e cila dërgoi shtetin shqiptar në finalen e këtij kompeticioni, u rendit e 17-ta në listën finale pas votimit, duke lënë prapa këngëtaren përfaqësuese të Serbisë, Nevena Bozovic.
Kjo e fundit, duket se nuk ka mundur ta durojë fare Jonidën përgjatë korridoreve dhe provave për natën finale.
Këtë e ka treguar stilisti i artistes shqiptare, Ardi Asllani, i cili ka dizajnuar veshjen me elemente kombëtare të Jonidës, që u pëlqye nga të gjitha.
Asllani në një postim të bërë në InstaStory ka treguar për mënyrën se si këngëtarja serbe i kishte injoruar përgjatë gjithë kohës ekipin shqiptar.
“Përpara se ta bëni lajm: Nuk kam asgjë me asnjë shtet pjesëmarrës, por këngëtarja e shtetit të përmendur më parë, në 10 ditë prova dhe pse ndanim të njëjtin korridor në ‘backstage’, prej 1 metër e 30 cm, nuk ngriti njëherë kokën të përshëndeste, ritual kortezie që ndodhte rëndom me të gjithë pjesëmarrësit si dhe me mediat serbe që u pikëlluan nga shqiponja në finale”-ka shkruar Ardi Asllani në InstaStory.
Përndryshe, artistja serbe Nevena Bozovic është nga Mitrovica, ndërkohë që ishte detyruar nga stafi i Serbisë që ta fshijë emrin e qytetit në llogarinë e saj personale në Instagram. /Telegrafi/