Telegrafi

Steven Tyler pëson krizë nervore, Aerosmith ndërpret turneun

Bendi legjendar “Aerosmith” e ka ndërprerë turneun muzikor, pas problemeve të papritura shëndetësore të këngëtarit Steven Tyler.

Anëtarët e rok grupit amerikan kishin të caktuar koncerte në Amerikën Jugore, në vende si Brazili, Kili, Argjentina dhe Meksika, mirëpo frontmeni u detyrua t’i nënshtrohej urgjentisht mjekimit.

Steven Tyler dhe Joe Perry (“Aerosmith”) në një emision televiziv në Berlin (Franziska Krug/Getty Images)

Përmes një postimi në Twitter, 69-vjeçari është përpjekur t’i qetësojë fansat dhe opinion publik duke u thënë se gjendja e tij nuk është serioze.

“Ju lutem mos u shqetësoni. Nuk më rrezikohet jeta, por duhet të përballem menjëherë me sëmundjen dhe t’i përkushtohem mjekimit”.

“Ju premtoj se do të kthehem. Shëndeti nuk pret. E dini si thonë: ‘Njerëzit planifikojnë, ndërsa Zoti qesh’. Ju dua dhe do të kthehem shumë shpejt”, ka shkruar Tyler.

Mediat kanë raportuar se rokeri ka përjetuar një krizë cerebrale si pasojë e një aktiviteti jonormal në tru.

Tyler ka thënë se gjendja e tij nuk është serioze (WireImage)

Në korrik të vitit të kaluar ishte shtrirë në spital edhe kitaristi i “Aerosmith”, Joe Perry, pasi kishte humbur vetëdijen në skenë gjatë një koncerti me grupin “Hollywood Vampires”.

Lexo po ashtu Shuhet edhe një bend legjendar (Video)

Në ndërkohë, ky është paralajmëruar të jetë turneu lamtumirës i bendit legjendar, i cili do të shpërbëhet pas 46 vitesh ekzistimi. /Telegrafi/