Bendi legjendar “Aerosmith” e ka ndërprerë turneun muzikor, pas problemeve të papritura shëndetësore të këngëtarit Steven Tyler.
Anëtarët e rok grupit amerikan kishin të caktuar koncerte në Amerikën Jugore, në vende si Brazili, Kili, Argjentina dhe Meksika, mirëpo frontmeni u detyrua t’i nënshtrohej urgjentisht mjekimit.
Përmes një postimi në Twitter, 69-vjeçari është përpjekur t’i qetësojë fansat dhe opinion publik duke u thënë se gjendja e tij nuk është serioze.
“Ju lutem mos u shqetësoni. Nuk më rrezikohet jeta, por duhet të përballem menjëherë me sëmundjen dhe t’i përkushtohem mjekimit”.
— Steven Tyler (@IamStevenT) September 26, 2017
“Ju premtoj se do të kthehem. Shëndeti nuk pret. E dini si thonë: ‘Njerëzit planifikojnë, ndërsa Zoti qesh’. Ju dua dhe do të kthehem shumë shpejt”, ka shkruar Tyler.
Mediat kanë raportuar se rokeri ka përjetuar një krizë cerebrale si pasojë e një aktiviteti jonormal në tru.
Në korrik të vitit të kaluar ishte shtrirë në spital edhe kitaristi i “Aerosmith”, Joe Perry, pasi kishte humbur vetëdijen në skenë gjatë një koncerti me grupin “Hollywood Vampires”.
Në ndërkohë, ky është paralajmëruar të jetë turneu lamtumirës i bendit legjendar, i cili do të shpërbëhet pas 46 vitesh ekzistimi. /Telegrafi/