Nga: Gani Elezi
Këto ditë, kur të gjitha mediat i fillojnë e mbyllin lajmet me konfliktin më të fundit Palestinë-Izrael, në Shqipëri analistë e komentatorë të ndryshëm, sjellin në vëmendjen e opinionit, historinë e raporteve specifike që ka pasur në vite vendi ynë me këto dy shtete të përfshira në një ballafaqim të përgjakshëm.
Aktualisht, Shqipëria sot është aleate e fortë e Izraelit, por nuk ka qenë kështu 30 vjet më parë kur ishte pjesë e Aleancës Lindore dhe përgjërohej për komunizmin. Asokohe, vendi ynë në konfliktin Palestinë-Izrael, mbështeste hapur Palestinën, madje jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht, duke stërvitur grupet e armatosura të lëvizjes që tashmë njihet si Fatah, e që drejtoheshin nga Jaser Arafati …
Gjatë gjithë këtyre ditëve që po zhvillohen luftime, kujtesa më është kthyer shumë vite pas, në vitin 1971 kur në ish-Detashmentin e Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Zall-herr, u stërvitën ushtarakisht 30 militantë të rinj palestinezë, për një periudhë gjashtëmujore. Palestinezët, të rinj në moshë, kishin ardhur nga shtete të ndryshme arabe, por edhe nga vende evropiane. Një pjesë syresh vinin nga radhët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, e themeluar si parti në vitin 1965 [si lëvizje më 1959], me qëllim të çlirimit të Palestinës përmes luftës së armatosur, pra nga radhët e luftëtarëve që e njihnin luftën dhe fushën e betejës.
Për përgatitjen e tyre u hartua një program gjashtëmujor, në të cilin vendin kryesor e zinte përgatitja taktike – ku përfshiheshin tema të stërvitjes vetmore, të skuadrës e të grupit të luftëtarëve. E gjithë kjo përgatitje mbështetej në përvojën e përgatitjes së reparteve tona të zbulimit, çka afrohej edhe me luftën guerile që ata do të zhvillonin në vendin e tyre. Programi parashikonte përparësi sidomos njohje armatimi dhe përgatitje për qitje me të gjitha llojet e armëve të lehta, nga granatat e dorës, pistoletat, pushkët, automatikët, mitrolozt e lehtë e të rënde, top 75 milimetërsh dhe granatahedhës kundër tank, mortaja 60 dhe 81 milimetërshe. Pra, me të gjithë arsenalin e armëve që mund të përdorë një luftëtar në fushëbetejë.
Veç këtyre dy komponentëve, në programin e përgatitjes ushtarake u planëzuan edhe komponentë të tjerë, si përgatitje xhenjere (sidomos mjetet e luftës me eksplozivë), përgatitje për mbrojtjen kundërkimike (veçanërisht përdorimin e kundër gazit dhe të kostumeve të mbrojtjes për të vepruar në terrene të ndotur kimikisht), përgatitje topografike (kryesisht orientimi dhe lëvizja me hartë), përgatitje fizike (veçanërisht aftësimi i tyre për të kaluar pengesat e terrenit gjatë veprimeve luftarake e sidomos për të përvetësuar elementet e luftimit trup me trup).
Të gjithë djemtë ishin shumë të interesuar për të përfituar në maksimum nga ky program. Aktivizimi i tyre nuk kishte nevojë të nxitej apo të kërkohej nga instruktori. I tërë grupi, por veçanërisht ata që vinin nga radhët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës – pra, ata që vinin nga lufta – ishin gjithë sy e veshë. Nuk ishte kollaj ta kaloje një argument shkel e shko. Ishin të interesuar sidomos për luftën në qytet, për luftën kundër mjeteve ajrore – sidomos helikopterëve – si dhe për përdorimin e mjeteve të luftës me eksploziva. Ne, edhe pse nuk kishim përvojë të shumtë, sidomos për luftën në qytet dhe kundër mjeteve ajrore, u munduam t’u japim sa më shumë njohuri. Ndërsa, për luftën me eksplozivë u zhvilluan një mori temash e praktikash në terren.
Pavarësisht nga disa probleme të mësimdhënies, sidomos faktit që mësimi jepej në gjuhën shqipe, në anglisht, arabisht etj., programi u përvetësua në një nivel shumë të mirë. Për nga volumi dhe cilësia, programi që u aplikua me ta, asokohe barazohej me njohuritë që merrte një student ushtarak në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në programin dyvjeçar. Pra, në nivelin e një oficeri trupe në shkallët e parë të karrierës.
Ka ndodhur që në bisedat e atyre ditëve, me të rinjtë palestinezë kemi folur edhe për argumente që e kapërcenin përmbajtjen e programit, ku përfshiheshin çështje të politikës dhe të konflikteve ushtarake. Një nga këto argumente ishte ekzistenca e Izraelit. Pjesa më e madhe e tyre nuk e pranonte ekzistencën e këtij shteti. Kishin mendimin që cilido hebre mund të qëndronte në ato troje si qytetar i Palestinës, por të tjerët duhej të ktheheshin në vendet nga kishin ardhur. Ishte kjo një bindje e verbër e tyre, të cilën as e vinin në diskutim. Në këtë çështje, me sa më kujtohet, për aq sa kishim informacion, pretendimi i tyre, në mos jo i padrejtë, më dukej i parealizueshëm.
Deri në 1971, Izraeli kishte treguar se mund ta mbronte ekzistencën e tij. Kishte edhe nga ata, sidomos ata të arsimuar në Perëndim, të cilët e pranonin ekzistencën e Izraelit, por e dënonin politikën e tij kundër palestinezëve. Në këtë rast, u jepja më shumë të drejtë dhe e quaja më të mundshme arritjen e qëllimit të tyre, çlirimin e territoreve të pushtuara nga Izraeli dhe ngritjen e shtetit të tyre, shtetit të Palestinës. Periudha që drejtova përgatitjen ushtarake të grupit të palestinezëve është një nga përvojat më të mira në karrierën time ushtarake. Kjo, për arsye se ishte një grup i një vendi tjetër dhe për shkak se shumë prej tyre vinin direkt nga fusha e luftës, çka përbënte një përvojë të veçantë edhe për mua.
Gjatë kohës që stërviteshin në Zall-Herr, luftëtarët palestinezë u vizituan dhe nga një prej udhëheqësve të Fatahut, krahut politik të Organizatës për Çlirimin e Palestinës që udhëhiqej nga Jaser Arafati, i cili vlerësoi miqësinë midis dy popujve tanë dhe falënderoi grupin e ushtarakëve që kishin stërvitur trupën e tij. Pas vitit 1990 ka pasur shumë interes mbi përgatitjen e këtij grupi. Më kanë pyetur shumë veta e kam dhënë madje dhe intervista. Në një rast kam qenë edhe në një emision televiziv.
Në të gjitha rastet kam konstatuar se synimi ka qenë që ky grup të konsiderohej grup terrorist. Kjo lidhej me turravrapin për të demaskuar politikën e partisë në pushtet në kohën e komunizmit dhe të Enver Hoxhës në mbështetje të luftërave çlirimtare dhe të luftërave për liri e pavarësi. Unë, as atëherë më 1971 dhe as edhe pas viteve 1990, nuk kam qenë i këtij opinioni. Për mua, ata ishin luftëtarë të popullit palestinez, që përgatiteshin të luftonin për lirinë dhe shtetin e tyre, për një shtet në paqe e në siguri me gjithë fqinjët në Lindjen e Mesme.
Sigurisht që, si në çdo luftë, ka edhe akte e veprime ekstreme; edhe në luftën e palestinezëve ka pasur akte vetjake apo veprime terroriste. Si i tillë është konsideruar sulmi i grupit “Shtatori i Zi” në Lojërat Olimpike në Munih të Gjermanisë, ashtu siç është konsideruar nga opinioni i gjerë publik, shumë shtete dhe institucione ndërkombëtare edhe sulmi i Hamasit këto ditë mbi Izraelin. Nuk marr përsipër të them se çfarë kanë bërë e çfarë mund të bënin “ushtarët” e mi palestinezë, nëse ende janë në jetë (në vitin 1971, të gjithë ishin rreth të 30-ave), por nuk do të dëshiroja dhe nuk do të doja të ishin pjesë dhe aktivë në aktet terroriste të Hamasit.
Duke e mbyllur këtë shënim-reflektim, dua të nënvizoj se paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet kurrë për aq kohë sa nuk do të zgjidhet problemi i popullit dhe i shtetit të Palestinës. Ashtu si edhe izraelitët, edhe palestinezët janë popuj të trojeve të tyre dhe secili prej tyre meriton dhe duhet të ketë territorin, lirinë dhe shtetin përkatës. Komuniteti ndërkombëtar, OKB-ja, Këshilli i Sigurimit, organizata të tjera rajonale dhe shtetet e fuqishme si ShBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, Kina, Rusia, Turqia, Arabia Saudite, Irani etj., më shumë se të merren me pasojat e konflikteve të tilla ushtarake, duke marrë anën e njërës apo tjetrës palë, duhet të merren, në radhë të parë e mbi të gjitha, me shkakun dhe të guxojnë të presin nyjën gordiane.