Tyson Fury beson se goditja e topave të golfit në afro 400 metra gjatë me trajnerin e tij SugarHill Steward ka shtuar fuqinë e tij përpara luftës së tij me Dillian Whyte.
Kampioni i botës në peshat e rënda do të mbrojë titullin e tij për herë të dytë më 23 prill, përballë një turme rekord prej 94,000 tifozësh në stadiumin Wembley. Dhe midis seancave stërvitore rraskapitëse në palestrën e boksit, ai ka shkuar në fushën e golfit për të ushtruar edhe forcën e tij në kraharor.
Fury nuk është i panjohur për metodat e çuditshme të stërvitjes, pasi më parë kishte pohuar ndër të tjera se i kishte lyer duart me benzinë përpara ndeshjes së revanshit me Deontay Wilder. Dhe ai argumenton se stërvitja në fushë e golfit ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë në atë se sa fuqishëm do të godasë në ring.
“Kam luajtur shumë golf në Morecambe, me trajnerin SugarHill, për t’u përgatitur për këtë luftë”, u tha ai gazetarëve në një konferencë virtuale për shtyp mbrëmë. “Dhe kjo me të vërtetë e ka përmirësuar dorën time të djathtë”.
“Po e godas topin rreth 400 metra dhe mendoj se me të vërtetë ka ndihmuar. Unë godas rreth 200 topa në ditë si pjesë e stërvitjes sime, ne bëjmë shumë gjëra të ndryshme për të shijuar gjërat. Ne u argëtuam shumë në kamp”
Fury është një favorit i madh për të mposhtur Whyte, kur ata më në fund do të përballen në një ndeshje masive gjithë-britanike javën e ardhshme. Dyshja janë ish-partnerë dhe miq, por janë bërë armiq në mes të një përleshjeje të hidhur. /Telegrafi/