Site icon Telegrafi

Statuja që e ëndërrojnë të gjithë – historia e prodhimit të ‘Oscar’

(Foto: Getty Images)

Ëndrra më e madhe e çdo aktori, regjisori apo kujtdo tjetër në industrinë e filmit, është që të mbajë në duar statujën e famshme, ‘Oscar’, përmes së cilës vlerësohen arritjet në botën e filmit.

Derisa jemi në pritje që Academy Awards t’i ndajë çmimet në edicionin e radhës, më poshtë jua sjellim historinë e prodhimit të statujës Oscar.

(Foto: Getty Images)

CW Shumway & Sons nga Batavia në Ilinois i ka prodhuar fillimisht statujat prej bronzi të larë me ar. Kah mesi i viteve të tridhjeta, statuja filloi të prodhohej me një mbulesë bakri, nikeli argjendi dhe mbi to vendosej një shtresë ari prej 24 karatësh.

Që nga ajo kohë, Oscarët shkëlqyen si përpara kamerave dhe u dhanë edhe më shumë krenari fituesve që i mbanin në rafte apo tavolinat e tyre.

Largimi më i madh nga dizajni tradicional ndodhi në vitin 1939, kur Walt Disneyt iu dha një çmim i dytë nderi. Podiumi ishte prej druri, mbi të qëndronte një Oscar standard dhe krah tij një palë shkallë të vogla druri, ku poshtë tyre gjendeshin shtatë xhuxhë, një homazh i realizimit të Disneyt, “Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për OSCAR

Nga vitet 1942 dhe 1945, kur metalet ishin të pakta, statujat u bënë me allçi të pikturuar. Fituesit ishin në gjendje t’i shkëmbenin ato me statujat e arit sapo të mbaronte lufta. Mirëpo, tregtia me Oscarët është e ndaluar.

(Foto: Getty Images)

Që nga viti 1950 asnjërit prej fituesve ose trashëgimtarëve të tyre nuk i lejohet t’i nxjerrë në treg pa i bërë në radhë të parë ofertë Akademisë me çmimin një dollar.

Megjithatë, disa nga fituesit kanë gjetur hapësira interpretimi për të mundësuar shitjen. Në vitin 2011, Beatrice Welles, vajza e Orson Welles, e nxori në ankand Oscarin e babait, të cilin ai e kishte fituar në vitin 1942. Statuja u shit për 861.542 dollarë.

Oscarët në thelb janë të paçmueshëm dhe janë ikona Hollywoodit, madje ato konsiderohen statuja fetare. Emil Jannings thuhet se e ka mbajtur Oscarin përpara vetes si një relikte të shenjtë, teksa u është afruar trupave Aleate në Gjermani në fund të Luftës së Dytë Botërore.

(Foto: Getty Images)

Statuja e Oscarit, kryesisht e pandryshuar, ka ndritur në heshtje përgjatë dekadave të trazuara në Hollywood, teksa dizajni që zgjon kureshtje dhe është shumë i lakmuar, bën që të mbetet “Grali i Shenjtë Hollywoodit”.

Nga viti 1982, prodhimi i kësaj statuje është në duart e RS Owens & Company, nga Chicago. /Telegrafi/

Exit mobile version