Ky është cilësuar viti zero për Kombëtaren e Shqipërisë.
Paraqitja tejet e dobët ndaj Përfaqësueses së Kosovës u pasua nga zhgënjimi total edhe përballë Ukrainës, me Shqipërinë që është shfaqur shumë larg skuadrës së viteve të fundit dhe niveleve që pretendohen.
Ekip i shuar, pa grintë dhe apatik në fushë! Kur u emërua në krye të stolit kuqezi, në korrik të vitit 2017, trajneri Christian Panucci erdhi me pritshmëri të mëdha, por edhe me premtimin se do të formonte një ekip që synon rezultatet duke sulmuar.
Deri më tani, asnjë prej këtyre elementëve të projektit nuk është realizuar.
Shqipërisë i mungojnë rezultatet, për skuadër ofensive duket e vështirë të flitet, edhe pse në disa raste kemi luajtur me tre sulmues, ndërsa ekipi ka humbur edhe soliditetin në mbrojtje, që cilësohej një prej pikave më të forta.
Të gjitha këto konfirmohen nga statistikat e regjistruara gjatë ecurisë me Panuccin në stol. Trajneri e ka drejtuar Kombëtaren shqiptare në tetë ndeshje, duke regjistruar pesë humbje, një barazim dhe vetëm dy fitore. Kuqezinjtë kanë realizuar shtatë gola, diçka më pak se një për ndeshje, ndërsa kanë pësuar 15, mesatarisht dy gola për ndeshje.
Sa për paralelizëm, në 11 ndeshjet e fundit me Gianni De Biasin, duke nisur nga pjesëmarrja historike në Evropianin 2016, Shqipëria kishte pësuar 14 gola. Për t’u theksuar fakti që ajo pas turneut në Francë ishte periudha më negative me trajnerin që e udhëhoqi skuadrën drejt suksesit më të madh në arenën ndërkombëtare, me Kombëtaren që ka luajtur ndaj ekipeve si Spanja, Italia apo edhe Bosnja dhe kulmoi me humbjet ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Pas testeve me Kosovën dhe Ukrainën, kuqezinjtë e shohin veten në pikën më të ulët.
Ekipi dhe trajneri kanë humbur edhe mbështetjen e tifozëve, që me të drejtë i kontestojnë, sepse kjo nuk është Shqipëria e tyre. /SS/